Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës dhe Instituti i Historisë Ali Hadri – Prishtinë kanë nënshkruar Memorandum bashkëpunimi, me qëllim thellimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit shkencor dhe kulturor ndërmjet dy institucioneve.

Memorandumi u nënshkrua nga dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, dhe drejtoresha e Institutit të Historisë “Ali Hadri” Prof. Dr. Teuta Shala-Peli.

Ky bashkëpunim synon të promovojë kërkimin shkencor në fushën e historisë dhe disiplinave të afërta, zhvillimin profesional të stafit akademik dhe shkencor, si dhe përfshirjen aktive të studiuesve dhe studentëve në projekte të përbashkëta kërkimore dhe botuese.

Në kuadër të Memorandumit, palët janë pajtuar për: organizimin e konferencave, simpoziumeve dhe tryezave shkencore; realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore dhe botuese; shkëmbimin e burimeve shkencore dhe dokumentacionit arkivor; organizimin e cikleve të ligjëratave me studiues të fushave përkatëse; përfshirjen e stafit kërkimor të Institutit në programet e ciklit të dytë dhe të tretë të studimeve në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Tetovës dhe shkëmbimin e botimeve dhe materialeve universitare.

Palët vlerësuan se ky Memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt thellimit të lidhjeve institucionale ndërshqiptare në fushën e studimeve historike dhe humanistike, duke krijuar mundësi të reja për zhvillim shkencor, akademik dhe kulturor.