Në ambientet e Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi në Shkup, më 24 mars 2026 u nënshkrua Memorandumi i bashkëpunimit ndërmjet këtij institucioni dhe Universitetit të Tetovës.
Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zendeli, i shoqëruar nga Prof. Dr. Jahi Jahiu, si dhe nga kryetari i Komisionit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi, Dushan Tomshiq. Ky akt shënon një hap të rëndësishëm drejt forcimit të bashkëpunimit institucional në promovimin e barazisë dhe mbrojtjen nga diskriminimi.
Ky bashkëpunim synon organizimin e aktiviteteve edukative dhe shkencore, përfshirë trajnime, seminare dhe punëtori, me fokus në ngritjen e vetëdijes së studentëve për parandalimin dhe luftimin e diskriminimit.
Studentët pjesëmarrës do të pajisen me vërtetime dhe certifikata për pjesëmarrjen e tyre, ndërsa institucionet do të angazhohen në shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e iniciativave të përbashkëta.
Ky memorandum përfaqëson një hap konkret drejt ndërtimit të një shoqërie më të drejtë, të barabartë dhe gjithëpërfshirëse. Pas nënshkrimit të Memorandumit, u realizua edhe aktiviteti i parë në kuadër të këtij bashkëpunimi. Studentët e Fakultetit të Administrimit të Biznesit, në programin Administratë Publike, morën pjesë në trajnimin e organizuar nga Komisioni me temën “Diskriminimi në vendin e punës”.
Ky zhvillim dëshmon përkushtimin e palëve për zbatimin konkret të Memorandumit dhe për të kontribuuar në ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, të barabartë dhe pa diskriminim.







