Në Universitetin e Tetovës sot i filloi punimet Konferenca e Parë Studentore me temë: “Sfidat kërkimore të studentëve në globalizëm”. Kjo konferencë organizohet nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës dhe shënon një moment të rëndësishëm në rrugëtimin akademik të studentëve tanë, duke krijuar një platformë ku idetë, përvojat dhe sfidat e tyre mund të ndahen dhe të diskutohen. Kjo ngjarje është një hap i rëndësishëm drejt promovimit të kërkimit shkencor dhe përfshirjes aktive të studentëve në sfidat globale.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, u shpreh se udhëheqësia e Universitetit, së bashku me studentët, e thurin të ardhmen dhe sipas tij nga sot e tutje studentët do të jenë ata, të cilët do t’i prijnë para çdo strategjie, çdo programi zhvillimor të Universitetit, kurse udhëheqësia do të jetë vetëm mbështetëse e tyre. “Ju jeni shkalla më e lartë e vetëdijes, vizionit dhe të ardhmes sonë. Me plot mburrje dhe krenari do të qëndrojmë në çdo propozim dhe në çdo hap që e bëni. Dikur edhe unë isha në kohën dhe në moshën tuaj, e kisha fatin dhe përgjegjësinë të isha kryetar i Parlamentit Studentor siç quhej atëherë, Unioni i Studentëve dhe e çmoj shumë lartë sakrificën, punën që e bëni, por njëkohësisht edhe bashkëpunimin që e keni me ne. E ardhmja është ende në fuqinë tuaj.” – tha mes tjerash i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Vullnet Ameti në fjalën e tij drejtuar studentëve dhe pjesëmarrësve tjerë në sallë theksoi se ky event shkencor duhet të shërbejë si precedent i një ngjarjeje të iniciuar, projektuar, menaxhuar dhe përpunuar kryekëput nga vetë studentët si shtylla jonë më vitale dhe ndaj të cilëve kemi përgjegjësi kombëtare dhe jo vetëm.

“Më bën të lumtur dhe, mbi të gjitha, krenar fakti që studentët tanë i drejtohen shkencës me pasion dhe përkushtim, një angazhim që tregon guxim të jashtëzakonshëm intelektual. Ky guxim më sjell në mendje një histori që e kam lexuar së fundmi në librin “best-seller” të Stephen Hawking-ut, “Teoria e Gjithçkaje”, një histori që ilustron fuqinë e kërkimit shkencor dhe guximin e mendjes njerëzore për të sfiduar kufijtë e njohurive tona të cilën do ta shpalos tani. Në këtë kontekst, shpejtësia e ndryshimeve dhe shtrirja e globalizmit ndikojnë fuqishëm në mënyrën se si shohim dhe përjetojmë realitetin. Shkenca ishte dhe vazhdon të jetë shtytësja kryesore e përparimit njerëzor dhe thelbi qëndron te përdorimi pa kompromis i arsyes njerëzore dhe i konkluzioneve të arsyeshme, të bazuara në prova dhe jo në besim, dogma dhe traditë. Më lejoni të them se secili prej jush, i angazhuar në këtë ngjarje, është një yll që ndriçon horizontin e së ardhmes, një mikrokozmos që bart fuqinë për të transformuar makrokozmosin e njerëzimit. Ju, studentë të dashur, jeni gjenerata që sfidon të njohurën, që ngrihet mbi frikën e së panjohurës dhe që refuzon të kufizohet nga kornizat e traditës apo dogmës. Në këtë udhëtim të gjatë të shkencës, ku çdo pikëpyetje është një dritare drejt dijes dhe çdo hipotezë një hap drejt përparimit, ju jeni forca shtytëse që ndërton urat mes të sotmes dhe të nesërmes.” – theksoi Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Kryetari i Parlamentit Studentor, dhe koordinatori i kësaj konference, Ladon Murseli tha se ky është një moment i rëndësishëm për të ndarë dijen, për të krijuar mundësi bashkëpunimi ndërkombëtar dhe për të stimuluar shkëmbimin kulturor ndërmjet institucioneve të arsimit të lartë. “Kjo konferencë është një shprehje e angazhimit të Universitetit të Tetovës për të qenë një pjesë e dinjitetshme e komunitetit global të dijes dhe inovacionit. Pasqyron përpjekjet tona të përbashkëta për të kontribuar në zhvillimin e shkencës dhe arsimit. Të rinjtë janë ata që do të formojnë të ardhmen e shoqërisë sonë. E ardhmja nuk mund të ndërtohet pa bashkëpunim dhe shkëmbim idesh. Pjesëmarrja në këtë konferencë do të krijojë mundësi të mëdha për të mësuar nga njëri-tjetri dhe për të kontribuar në zhvillimin e shkencës dhe inovacionit. Si Parlament Studentor, ne do të vazhdojmë të jemi zëri i kërkesave dhe aspiratave të studentëve, duke mbështetur dhe inkurajuar avancimin e punës shkencore dhe përpjekjet për përmirësimin e kushteve në të mësuarit.” – tha mes tjerash Kryetari Parlamentit Studentor, dhe koordinatori i kësaj konference, Ladon Murseli.

Më pas studenti Kudret Ferizi foli mbi temën: “Rëndësia dhe roli i Universitetit të Tetovës për shqiptarët e Maqedonisë (1994-2004)”, dhe Lavdrim Velii prezantoi temën: “Kënaqësia nga përzgjedhja e profesionit gjatë fazës së përcaktimit profesional dhe ndjesia aktuale lidhur me profesionin te studentët dhe të diplomuarit në Universitetin e Tetovës”.

Punimet e konferencës do të vijojnë edhe gjatë ditës së nesërme.