Prof. Dr. Berton Sulejmani, ligjërues në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Tetovës, mori pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Studimet albanistike te sllavët e jugut”, e organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) dhe Akademia e Shkencave të Shqipërisë (ASHSH). Punimet e konferencës u zhvilluan në Prishtinë më 27–28 tetor 2025, duke bashkuar studiues të njohur nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Serbia, Kroacia, Rusia, Gjermania etj.
Në ditën e parë të kësaj ngjarjeje të rëndësishme shkencore, Prof. Sulejmani prezantoi kumtesën me titull: “Trajta të admirativit në gjuhën maqedonase (në rrafshin dialektor) si rezultat i kontaktit gjuhësor me shqipen: analizë ndërgjuhësore nga këndvështrimi i Veselinka Labroskës”. Studimi tregon se mënyra habitore në maqedonishte, ndonëse e pa kodifikuar në normën standarde, përfaqëson një huazim strukturor të ndërmjetësuar nga ndikimi i gjuhës shqipe në mjedise dygjuhësore, veçanërisht në të folmet e Maqedonisë Perëndimore.
Me këtë kontribut shkencor, Prof. Dr. Berton Sulejmani zgjeron studimet mbi kontaktet gjuhësore në arealin ballkanik dhe sjell qasje të reja në albanologji. Punimi përqendrohet te ndikimi i shqipes mbi maqedonishten në strukturën gramatikore, një dimension më pak i trajtuar krahas qasjeve tradicionale që kanë vënë më tepër theks te ndikimet e gjuhëve sllave mbi shqipen.





