Në Universitetin “Eqrem Çabej”-Gjirokastër, më 27 mars 2026, u mbajt konferenca shkencore ndërkombëtare me temë “Rrugëtimi shkencor i profesoreshë Klara Kodrës mes botës arbëreshe dhe letërsisë shqipe”, e organizuar në kuadër të 80-vjetorit të lindjes së saj.

Në këtë ngjarje të rëndësishme shkencore, Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga dekania e Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Emine Shabani, e cila e prezantoi studimin e saj me temë: “Trashëgimia shkencore, kritike dhe kreative e Klara Kodrës: ndërmjet studimit, interpretimit dhe krijimit”.

Pjesëmarrja e Prof. Dr. Emine Shabanit në këtë konferencë dëshmon angazhimin e vazhdueshëm të Universitetit të Tetovës në promovimin e vlerave shkencore, kulturore dhe albanologjike, si dhe përkushtimin e tij në forcimin e bashkëpunimit me institucione të rëndësishme universitare dhe kërkimore në hapësirën shqiptare.

Në konferencë morën pjesë studiues, profesorë dhe kërkues shkencorë nga institucione të ndryshme , të cilët e vlerësuan lart kontributin e prof. Klara Kodrës në studimet letrare dhe arbëreshe, duke e cilësuar veprën e saj si një pasuri të çmuar të mendimit kritik dhe të trashëgimisë kulturore shqiptare.

Në tri seancat shkencore të konferencës u paraqitën kumtesa nga studiues të Universitetit “Eqrem Çabej”, QSPA-së, Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë, Institutit Albanologjik të Prishtinës, si dhe nga institucione të tjera akademike e shkencore.

Përmes kësaj pjesëmarrjeje, Universiteti i Tetovës riafirmon rolin e tij si një qendër e rëndësishme e dijes, kërkimit shkencor dhe afirmimit të vlerave kombëtare.