Në kuadër të programit Erasmus+, Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit e mirëpriti Prof. Dr. Neriman Inanç nga Universiteti “Nuh Naci Yazgan” nga Kajseri, Republika e Turqisë. Gjatë vizitës, profesoresha Inanç mbajti ligjëratë me temën: “Gjendja aktuale e të ushqyerit në Turqi dhe një hyrje në kuzhinën tradicionale turke”.
Në ligjëratën e saj, ajo ofroi një pasqyrë të detajuar mbi trendet aktuale të të ushqyerit në Turqi, sfidat me të cilat përballet popullsia në aspektin e shëndetit dhe ushqimit, si dhe politikat publike që synojnë përmirësimin e stilit të jetesës përmes ushqyerjes së shëndetshme. Më tej, profesoresha prezantoi elementet kryesore të kuzhinës tradicionale turke, duke veçuar ushqimet më karakteristike nga rajone të ndryshme të Turqisë, metodat tradicionale të përgatitjes dhe rolin që luan ushqimi në kulturën dhe identitetin kombëtar.
Aktiviteti u përshëndet edhe nga dekani i FTUU-së, Prof. Dr. Xhezair Idrizi, i cili vlerësoi rëndësinë e bashkëpunimeve ndërkombëtare në kuadër të Erasmus+, si dhe rolin e tyre në shkëmbimin e përvojave akademike dhe kulturore. Ai shprehu mirënjohje për prezencën e profesoreshës Inanç dhe theksoi gatishmërinë e fakultetit për të thelluar bashkëpunimet me institucione të tjera të arsimit të lartë nga rajoni dhe më gjerë.
Ligjërata tërhoqi vëmendjen e studentëve dhe stafit akademik të universitetit tonë dhe hapi mundësi të reja bashkëpunimi në fushën e teknologjisë ushqimore dhe të ushqyerit.




