Universiteti i Tetovës pati kënaqësinë të mirëpresë profesorin e Fulbright nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, prof. Siegel, i cili zhvilloi një vizitë zyrtare dhe mbajti një ligjëratë në Fakultetin Juridik të UT-së.
Gjatë vizitës së tij, profesori Siegel u prit në takim nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe nga disa profesorë të Fakultetit Juridik. Në këtë takim u diskutua për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe institucioneve akademike amerikane, me fokus shkëmbimin e përvojave dhe zhvillimin e projekteve të përbashkëta kërkimore në fushën e drejtësisë dhe shkencave shoqërore.
Pas takimit me Rektorin, profesori Siegel, para studentëve të Fakultetit Juridik, mbajti një ligjëratë me temën: “Dënimi me vdekje në SHBA në shekullin XXI”.
Tema ngjalli interesim të madh dhe u pasua nga disa pyetje dhe diskutime të pjesëmarrësve në këtë aktivitet. Ligjërata trajtoi në mënyrë analitike historikun, praktikat dhe debatet aktuale lidhur me dënimin me vdekje në sistemin penal amerikan.
Edhe pse dënimi me vdekje nuk zbatohet në vendet e kontinentit evropian, ai mbetet një çështje që zgjon kureshtje dhe interes në radhët e botës akademike dhe profesionistëve të drejtësisë. Profesori Siegel ndau me të pranishmit shembuj konkretë dhe analiza që hapën dilema të rëndësishme për të ardhmen e politikave penale dhe nevojën për reflektim të vazhdueshëm mbi rolin e ndëshkimit në shoqëri.
Universiteti i Tetovës e vlerëson lart këtë vizitë dhe kontributin e profesor Siegelit për pasurimin e dijes dhe nxitjen e debatit akademik, si dhe shpreh gatishmërinë për bashkëpunime të mëtejshme me akademikë ndërkombëtarë në të ardhmen.





