Profesori i Fakultetit Filozofik, njëherazi anëtar i Senatit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Prof. Dr. Bujar Dugolli, është pritur sot në Universitetin e Tetovës nga Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në këtë takim pune u bisedua për arsimin e lartë dhe avancimin e procesit mësimor-shkencor në universitetet shqiptare.
Bazuar në të kaluarën dhe rolin domethënës të të dy universiteteve u theksua nevoja e bashkërendimit të veprimtarisë arsimore dhe përgatitjen e agjendave të përbashkëta, sidomos të universiteteve publike që e kanë përvojën e nevojshme dhe posedojnë kapacitetet kadrovike për t’u shërbyer iniciativave me karakter arsimor – shkencor, por edhe për çështje thelbësore me interes publik.
Të dy bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ecuria pozitive e institucioneve të arsimit të lartë në Maqedoninë e Veriut, në Kosovë dhe kudo në rajon është shërbimi më i madh që mund t’i behet shoqërisë në shtetet respektive.
Në këtë takim miqësor, po ashtu u trajtuan edhe tema të tjera si, thellimi i bashkëpunimit të mëtutjeshëm, për kapërcimin e sfidave dhe harmonizimin e programeve studimore në përputhje me kërkesat dhe zhvillimet e fundit inovative.
Sikurse Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, po ashtu edhe Universiteti i Tetovës, kanë pak a shumë të njëjtën histori themelimi, dhe në rrugën e afirmimit institucional kanë dhënë kontributin e tyre edhe Prof. Dr. Bujar Dugolli, sikundër edhe Prof. Dr. Jusuf Zejneli – si drejtues të unioneve studentore në universitetet përkatëse.
Zyra për informim