Në hapësirat e Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, më 3 nëntor 2025, u realizua hapja solemne e organizimit të përbashkët të WAMY-t dhe programit studimor Filologji Orientale, për trajnimin në komunikim në gjuhën arabe për studentët e gjuhës arabe nga i gjithë Ballkani. Kjo ngjarje shënoi një ditë të rëndësishme për këtë program studimor, veçanërisht për studentët e tij, pasi është hera e parë që një organizim i këtillë realizohet në Maqedoninë e Veriut, dhe kjo në bashkëpunim me programin studimor Filologji Orientale të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës. Ky trajnim është i treti me radhë, pas dy trajnimeve të mëparshme në Sarajevë, gjatë vitit 2023 dhe 2024.
Në hapjen solemne morën pjesë, përveç stafit të programit studimor Filologji Orientale dhe studentëve të tij, edhe Prorektori për Arsim i UT-së, Prof. Dr. Ibrahim Neziri, Dekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Shefi i programit studimor Filologji Orientale, Prof. Dr. Sulejman Baki, Prof. Dr. Awad Xhum’ah nga Rijadi i Arabisë Saudite (trajnues i specializuar në komunikimin në gjuhën arabe), Prof. Yasir Es-Sabag, drejtor i zyrës së WAMY-t në Sarajevë, si dhe studentë nga shtete të ndryshme të Ballkanit.
Trajnimi do të realizohet prej 3 deri më 7 nëntor 2025, në hapësirat e programit studimor Filologji Orientale në Universitetin e Tetovës dhe në Kodrën e Diellit.







