Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Kenan Ferati, Udhëheqësja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, Dekani FSHMN-së, Prof. Dr. Florim Idrizi si dhe pedagogu në këtë njësi akademike, Prof. Dr. Arianit Reka, e priti në takim zyrtar Ambasadoren e Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesinë e Saj, znj. Jiang Xiaoyan.

Gjatë këtij takimi miqësor dhe konstruktiv u diskutua për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndëruniversitar, me theks të veçantë në shkëmbimin e studentëve dhe stafit akademik, realizimin e projekteve kërkimore-shkencore, si dhe organizimin e aktiviteteve të përbashkëta akademike dhe kulturore.

Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i prezantoi zhvillimet aktuale në Universitetin e Tetovës, strategjinë e ndërkombëtarizimit, si dhe përkushtimin institucional për zgjerimin e partneriteteve me universitete dhe institucione prestigjioze ndërkombëtare.

Nga ana e saj, Ambasadorja, znj. Jiang Xiaoyan, shprehu gatishmërinë për të mbështetur iniciativat që forcojnë lidhjet arsimore, shkencore dhe kulturore mes dy vendeve, duke theksuar rëndësinë e diplomacisë akademike si instrument i fuqishëm i bashkëpunimit afatgjatë.

Të dyja palët vlerësuan se ky takim përbën një hap të rëndësishëm drejt intensifikimit të marrëdhënieve ndërinstitucionale dhe krijimit të mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik të Universitetit të Tetovës.