Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 25 tetor 2025, mori pjesë në Tryezën e rrumbullakët me temë: “Shteti dhe feja”, e organizuar nga Organizata për Kultivimin e Traditës dhe Kulturës (OKKT) “Shqiptaria”.
Ngjarja u mbajt në Prishtinë dhe mblodhi akademikë, studiues dhe përfaqësues të institucioneve fetare e kulturore nga mbarë hapësira shqiptare, për të diskutuar mbi marrëdhënien ndërmjet shtetit dhe fesë në kontekstin e shoqërive moderne.

Në këtë tryezë, Rektori  i UT-së e paraqiti studimin me temë: “Liritë fetare dhe komunitetet religjioze në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, duke theksuar rëndësinë themelore të lirisë së ndërgjegjes dhe besimit si një nga të drejtat bazë të njeriut, e domosdoshme për funksionimin e një shoqërie demokratike.

“E drejta e lirisë së mendimit, ndërgjegjes dhe fesë është e drejtë absolute, që përfshin edhe të drejtën për të ndryshuar fenë apo besimin. Askush nuk mund të detyrohet të ndjekë apo të besojë në një fe të caktuar, dhe po aq e rëndësishme është liria për ta manifestuar publikisht besimin në mënyrë të lirë e pa kufizime”, theksoi Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli.

Më tej ai nënvizoi gjithashtu se detyrimi i shtetit për të siguruar pluralizmin fetar dhe neutralitetin ndaj komuniteteve religjioze është kusht i domosdoshëm për garantimin e barazisë dhe të drejtave të njeriut.
Në këtë kuadër, Rektori u ndal edhe në kuadrin kushtetues dhe juridik të Republikës së Maqedonisë së Veriut, duke theksuar se Kushtetuta e garanton lirinë e besimit, ndarjen e shtetit nga bashkësitë fetare dhe barazinë e tyre para ligjit.

Në përfundim, theksoi se respektimi i lirisë fetare dhe i pluralizmit religjioz përbën një shtyllë të rëndësishme të demokracisë, duke kërkuar që institucionet publike dhe komunitetet fetare të bashkëpunojnë në frymën e mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë.

Tryeza “Shteti dhe feja” u zhvillua në një atmosferë bashkëpunuese duke synuar thellimin e debatit mbi raportet ndërmjet fesë, shtetit dhe shoqërisë në hapësirat shqiptare dhe më gjerë.