Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me Prorektorin për Arsim, Prof. Dr. Ibrahim Neziri e pritën sot në takim Zëvendësministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Astrit Iseni. Gjatë këtij takimi, palët diskutuan mbi vazhdimin dhe ripërtëritjen e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve, duke synuar fuqizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e edukimit dhe praktikës profesionale.

Marrëveshja në fjalë parashikon organizimin e trajnimeve të specializuara për studentët e Fakultetit Juridik, programin studimor të kriminalistikës, si dhe krijimin e mundësive për realizimin e praktikave studentore në institucionet e Ministrisë së Punëve të Brendshme. Përmes këtij bashkëpunimi, studentët do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë praktike dhe të njohin nga afër funksionimin e sistemit ligjor dhe të sigurisë publike në vend.

Gjatë takimit, Rektori i Universitetit të Tetovës e falënderoi Zëvendësministrin Iseni për mbështetjen e tij dhe shprehu përkushtimin e institucionit për të forcuar partneritetin me MPB-në. Ndërkaq, z.Iseni e vlerësoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi dhe theksoi se Ministria do të mbështesë të gjitha iniciativat që ndihmojnë në avancimin profesional të studentëve.

Ky takim konfirmon angazhimin e Universitetit të Tetovës për të krijuar ura bashkëpunimi me institucionet shtetërore, me qëllim që studentët të kenë qasje në edukim cilësor dhe përvojë të drejtpërdrejtë në fushën e tyre të studimit.