Sot në Shkup filloi edicioni i tetë i Javës Ndërkombëtare të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili do të zgjasë prej 23-27 shkurt 2026.

Kjo veprimtari nisi me fjalime përshëndetëse nga drejtuesit e Universitetit “Kirili dhe Metodi”-Shkup si dhe koordinatorja rezidente e OKB-së në Maqedoninë e Veriut, Rita Columbia. Në këtë ngjarje mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i cili me këtë rast, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe të përfshirjes aktive të institucioneve akademike në proceset zhvillimore dhe ndërkombëtare.

Gjatë pesë ditëve të aktivitetit do të trajtohen tema të rëndësishme që lidhen me rininë, zhvillimin e qëndrueshëm, barazinë gjinore, sigurinë digjitale, edukimin cilësor, etikën, sportin, politikat sociale dhe paqen. Panelistë dhe ligjërues nga universitete dhe institucione prestigjioze evropiane do të kontribuojnë me diskutime, duke nxitur dialog ndërkombëtar dhe shkëmbim përvojash.

Në program përfshihen edhe aktivitete interaktive që synojnë të angazhojë të rinjtë e moshës 16–35vjeç në planifikim strategjik dhe analizën e trendeve për të ardhmen e vendit, si dhe sesione praktike rreth mënyrës së aplikimit për karrierë në OKB.  Ngjarja do të përmbyllet me diskutime studentore mbi rolin e rinisë në ndërtimin e një bote më të qëndrueshme, si dhe me ligjërata tematike mbi politikat sociale, punësimin, inovacionin social dhe agjendën për paqe dhe siguri.

Kjo platformë synon të forcojë rolin e shkencave shoqërore dhe humane në adresimin e sfidave globale, duke promovuar ekselencën akademike dhe angazhimin aktiv të të rinjve në proceset e sipërthëna.