Ambasadori i Italisë në Maqedoninë e Veriut, Shkëlqesia e tij Paolo Palminteri realizoi një vizitë zyrtare në Universitetin e Tetovës, ku u prit nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar  Prof. Dr. Salajdin Salihi si dhe përgjegjësja e Zyrës për bashkëpunim ndërkombëtar Doc. Dr. Hatibe Deari – Zeqiri.

Gjatë këtij takimit, Rektori e informoi Ambasadorin e Italisë lidhur me strukturën akademike të universitetit, fakultetet dhe programet studimore që ofrohen, me theks të veçantë programin studimor të gjuhës italiane. Ai vlerësoi rëndësinë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik dhe kulturor ndërmjet dy institucioneve.

Ambasadori shprehu kënaqësinë e tij për bashkëpunimin ekzistues ndërmjet Ambasadës së Italisë dhe Universitetit të Tetovës, duke theksuar se ky partneritet është një bazë e mirë për iniciativa të reja dhe shprehu gatishmërinë e tij  që bashkëpunimi të rritet edhe më tej në të ardhmen.

Prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar Prof. Dr. Salajdin Salihi theksoi se Ambasada e Italisë dhe Universiteti i Tetovës duhet të hartojnë një plan të përbashkët strategjik, me qëllim tërheqjen e studentëve për studimin e gjuhës italiane, si dhe zhvillimin e projekteve të reja akademike dhe kulturore.

Universiteti i Tetovës me këtë vizitë të Ambasadorit  Paolo Palminteri  dëshmon edhe një herë ruajtjen e partneritetit ndër vite me Ambasadën e Italisë në vendin tonë.