Rektori i Universiteti i Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i priti në një takim pune përfaqësuesit e Shtëpisë Botuese Ndërkombëtare MDPI AG. Takimi kishte për qëllim diskutimin e mundësive për bashkëpunim në kuadër të Programit Institucional të Qasjes së Hapur (IOAP).

Gjatë këtij takimi u prezantuan mundësitë që ofron ky program për komunitetin akademik, i cili synon të mbështesë studiuesit në publikimin e rezultateve të tyre shkencore në revista ndërkombëtare. Në veçanti u theksua se autorët e lidhur me institucionet pjesëmarrëse në këtë program përfitojnë zbritje në tarifat e publikimit të artikujve shkencorë (Article Processing Charges – APC) në revistat e MDPI, si dhe përfitime shtesë në shërbimet editoriale dhe botuese.

Nisma për vendosjen e bashkëpunimit me MDPI-në është iniciuar nga Sindikata e të punësuarve të Universitetit të Tetovës, me qëllim krijimin e mundësive më të mëdha për stafin akademik dhe studiuesit e universitetit që t’i publikojnë punimet e tyre në revista ndërkombëtare dhe të rrisin kapacitetin e kërkimit shkencor.

Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi rëndësinë e forcimit të bashkëpunimit me botues ndërkombëtarë dhe të promovimit të kërkimit shkencor. Ai më tej theksoi se bashkëpunimi me institucione dhe shtëpi botuese ndërkombëtare paraqet një mundësi të rëndësishme për rritjen e cilësisë dhe dukshmërisë së kërkimit shkencor. Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar në mbështetjen e studiuesve dhe në avancimin e veprimtarisë shkencore në nivel ndërkombëtar.

Në fund të takimit, palët u dakorduan për nënshkrimin e një marrëveshjeje bashkëpunimi,  për krijimin e mundësive të reja që do të kontribuojnë në zhvillimin e kërkimit shkencor dhe në promovimin e rezultateve akademike në nivel ndërkombëtar. Marrëveshja do të hyjë në fuqi më 1 prill 2026  me afat të pacaktuar, duke qëndruar në fuqi derisa të ndërpritet me pëlqimin e palëve.