Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, më 28 maj 2024, realizoi takim pune me Kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore z. Mendi Qyra. Në këtë takim drejtuesit e dy institucioneve diskutuan për shumë tema që kanë të bëjnë me zhvillimet ekonomike, sfidat dhe perspektivën e vendit tonë në të ardhmen, nevojat e tregut si dhe përgatitjen e kuadrit profesional që do jetë një ndihmesë e madhe për kompanitë dhe institucionet e tjera.

Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli falënderoi z. Mendi Qyra për bashkëpunimin e deritanishëm që Universiteti ynë ka pasur me Odën Ekonomike dhe njëherit konfirmoi edhe bashkëpunimin e mëtejmë në realizimin e aktiviteteve të ndryshme të cilat do jenë në interes për të dyja palët.

Ndërsa Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore z. Mendi Qyra theksoi se për Odën Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore është shumë e rëndësishme të bashkëpunojë me institucionet e arsimit të lartë. “Bashkëpunimin me Universitetin e Tetovës do ta ruajmë dhe do mundohemi që edhe më shumë ta intensifikojmë në të ardhmen, sepse pikërisht nga universitet buron edhe përgatitja e kuadrit dhe sot tregu i punës ka nevojë për profesionistë dhe ne do ta kemi më të lehtë që të përzgjedhim më të mirët dhe më meritorët.” – u shpreh z. Qyra.

Pas takimit me Kryetarin e Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore z. Mendi Qyra, Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli u takua edhe me anëtarët e bordit drejtues të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veri-Perëndimore. Ai para tyre prezantoi aktivitetet e realizuara gjatë këtij viti akademik dhe ato që pritet të realizohen në të ardhmen.