Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, e ka përshëndetur miratimin e ligjit nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut për shpalljen e një pjese të Malit Sharr si Park Nacional.

 Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, vlerëson se shpallja e Malit Sharr si Park Kombëtar është për t’u përshëndetur pasi që Mali Sharr me potencialin e tij gjeografik natyror ka një numër të madh të objekteve hidrografike që janë të rëndësishme si për gjeodiversitetin ashtu edhe për biodiversitetin. Sipas tij, numri i madh i burimeve, diku mbi njëqind, po ashtu njëzet pellgje lumenjsh me rrjedhat kryesore ujore dhe degët e tyre, si dhe liqenet e shumtë akullnajorë janë një themel për mbrojtje të mëtejshme të kësaj pasurie natyrore.

Ai po ashtu thekson se liqenet akullnajore të hasura në Malin Sharr thuaj se të gjitha përfaqësojnë objekte që janë domethënëse për këtë mal, me këto që janë veçanërisht të dukshme si Liqeni i Bogovinës, Liqeni i Zi, Liqeni i Madh Karanikola, Liqeni i Krivoshia dhe Liqeni i Bardhë. “Dëshiroj që në emrin tim personal dhe të Universitetit të Tetovës të përshëndes këtë vendim për shpalljen e një pjese të Malit Sharr për Park Nacional. Universiteti i Tetovës gjithmonë ka qenë pjesë e shumë proceseve të rëndësishme në vendin tonë. Sa i përket shpalljes së Malit Sharr Park Nacional, Universiteti ynë në qershor të vitit 2013 në Kodër të Diellit bashkë me një numër të madh të studiuesve shkencorë të kryesuar nga Prof. Dr. Nexhbedin Beadini- koordinator i përgjithshëm i projektit dhe Prof. Dr. Vladimir Krpaç – përgjegjës i Institutit Ekologjik dhe Teknologjik, për herë të parë shpalosën të dhëna të detajuara për masivin e Malit Sharr rëndësinë e bimëve dhe kafshëve të egra, vegjetacionin dhe masat mbrojtëse si dhe mënyrat e ruajtjes së natyrës dhe të mjedisit si dhe shumë informacione tjera të rëndësishme për biodiversitetin që posedon Sharri. Universiteti i Tetovës përmes Institutit Ekologjik dhe Teknologjik ka realizuar një sërë studimesh për pasuritë natyrore që ofron Mali Sharr dhe ka vlerësuar se flora dhe fauna, por edhe objektet tjera me rëndësi të veçantë kulturore e historike të gëzojnë mbrojtje të veçantë nga shteti. Universiteti ynë ka qenë një nga iniciuesit e parë për shpalljen e kësaj zone Park Nacional dhe nëpërmjet Institutit Ekologjik dhe Teknologjik si dhe profesorëve dhe punonjësve shkencorë të angazhuar ka ndihmuar në hartimin e këtij propozim ligji. Po ashtu në nëntor të vitit të kaluar kemi marrë pjesë në debatin publik mbi propozim – ligjin për shpalljen e një pjese të Malit Sharr Park Nacional të organizuar nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor. Ky debat për shkak të pandemisë globale Kovid 19, siç e dini edhe Ju u organizua përmes platformës online ku përfaqësues të institucioneve të ndryshme, studiues shkencorë, ambientalistë dhe ekspertë të ndryshëm diskutuam për benefitet që do ketë vendi ynë dhe banorët e fshatrave të Malësisë së Sharrit me shpalljen e një pjesë Park Nacional” – theksoi mes tjerash Prof. Dr. Vullnet Ameti.

 Ai po ashtu shprehet se institucioni që ai përfaqëson edhe në të ardhmen do të angazhohet që me ekspertizën e shkencëtarëve, Institutit Ekologjik dhe Teknologjik, si dhe bashkëpunëtorëve të shumtë që të ndihmojë në implementimin e ligjit që Mali Sharr, Park Kombëtar sa më shpejt të bëhet realitet.