Universiteti i Prishtinës e ka shënuar sot 55-vjetorin e themelimit. Në këtë ceremoni solemne krahas personaliteteve të njohura nga Republika e Kosovës dhe rajoni, mori pjesë edhe Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli. Në ceremoninë solemne ku u kujtua e kaluara dhe e ardhmja e këtij institucioni, Rektori, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, drejtuesit e Universitetit të Prishtinës i ka uruar në këtë përvjetor jubilar të veprimtarisë arsimore dhe shkencore.
Duke iu uruar edhe shumë përvjetorë të tjerë të suksesshëm, Rektori i UT-së e ka veçuar ndihmën dhe kontributin e veçantë, bashkëpunimin e frytshëm shumëvjeçar, përkrahjen përmes kuadrit arsimor, shkëmbimin e përvojave dhe mbështetjen vëllazërore për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, shkencën dhe kulturën kombëtare, si dhe për arritjen e objektivave të Universitetit Tetovës.
Ai ndër të tjera tha se që nga dita e themelimit e deri sot, Universiteti i Prishtinës është shndërruar në simbol të qëndresës, në tempullin që për mbi gjysmë shekulli e mbajti gjallë frymëzimin kombëtar për liri, demokraci dhe pavarësi.
Ndërsa në fjalën e tij para pjesëmarrësve, Rektori i UP-së, Prof. Dr. Arben Hajrullahu, theksoi se Universiteti i Prishtinës është ndërtuar mbi përkushtimin dhe bashkëpunimin e të gjithë atyre që kanë besuar në fuqinë e dijes dhe shtoi se qëllimi dhe misioni i Universitetit të Prishtinës është përcjellja e dijes dhe frymëzimi i ndryshimeve shoqërore për një të ardhme të mirë.
55-vjetorin e themelimit të UP-së e ka përshëndetur edhe Kryetari i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja, i cili këtë universitet e cilësoi si histori e Kosovës, histori e idealeve të saj për liri, dinjitet dhe subjektivitet shtetëror.
Në ceremoninë e shënimit të 55-vjetorit të UP-së u nderuan me mirënjohje profesorë dhe personalitete të njohura që kanë kontribuuar për këtë institucion.