Në kuadër të manifestimit solemn për shënimin e 34-vjetorit të themelimit të Odës së Mjekëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut mbajtur në Kavadar, studentja e Fakultetit të Shkencave Mjekësore të Universitetit të Tetovës, Erda Aliu, u nderua me çmimin prestigjioz “Primarius Dr. Dimitar Ivanovski”.
Ky çmim ndahet për studentët e mjekësisë për suksesin më të lartë, përkatësisht me mesataren më të lartë në universitetet e vendit dhe është një nga vlerësimet më të rëndësishme për studentët e dalluar në fushën e mjekësisë.
Vlerësimi i Erda Aliut dëshmon përkushtimin e saj të vazhdueshëm ndaj studimeve, rezultatet e shkëlqyera dhe angazhimin në rrugëtimin profesional drejt profesionit të mjekut. Ky sukses njëkohësisht paraqet edhe një vlerësim për procesin arsimor në Fakultetin e Shkencave Mjekësore të Universitetit të Tetovës.
Çmimi iu nda gjatë ceremonisë solemne të organizuar nga Oda e Mjekëve e Republikës së Maqedonisë së Veriut, ku u vlerësuan studentë, mjekë dhe profesionistë të shquar për kontributin e tyre në avancimin e mjekësisë dhe të sistemit shëndetësor.
Ky vlerësim për Erda Aliun është një motiv shtesë për studentët e rinj dhe dëshmi se puna, përkushtimi dhe rezultatet e larta vlerësohen nga institucionet profesionale të vendit.