Universiteti i Tetovës i përfaqësuar nga Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli, prorektoria për Financa Prof. Dr. Aida Baftjari Yzeiri dhe dekani i Fakultetit të Arteve, Prof. Ord. Senad Abduli, sot në Shkup morën pjesë në ceremoninë  e nënshkrimit të Memorandumit për Bashkëpunim ndërmjet Agjencisë për Inovacione, Zhvillim Shkencor-Teknologjik dhe Ndërmarrësi (INOVA) dhe universiteteve shtetërore në vendin tonë.

Në këtë solemnitet ku ishte i pranishëm edhe kreu i Qeverisë së RMV-së, u tha se roli i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe i universiteteve, është i një rëndësie të veçantë në ndërtimin e një sistemi që do të mundësojë zhvillimin e kuadrove të përgatitur për t’iu përgjigjur sfidave bashkëkohore.

Memorandumi u nënshkrua nga Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, dhe drejtoresha e Agjencisë, Daniella Dimovska, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit ndërmjet arsimit të lartë dhe sektorit të inovacionit e zhvillimit ekonomik.

Ky bashkëpunim synon të kontribuojë në zhvillimin e ekosistemit inovativ në vend, përmes mbështetjes së startupeve dhe ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme si dhe rritjes së konkurrueshmërisë së bizneseve.

Në kuadër të Memorandumit të bashkëpunimit, institucionet do të angazhohen në: zhvillimin e programeve për mbështetjen e startupeve dhe akseleratorëve; promovimin e kërkimit shkencor dhe zbatimin e tij në industri; digjitalizimin dhe transformimin teknologjik të bizneseve; organizimin e aktiviteteve edukative dhe trajnimeve profesionale si dhe pjesëmarrjen e përbashkët në projekte ndërkombëtare dhe programe të financuara nga Bashkimi Evropian.

Memorandumi i nënshkruar konsiderohet një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjes ndërmjet universiteteve dhe mekanizmave mbështetës për inovacionin dhe ndërmarrësinë, duke krijuar mundësi të reja për studentët, bizneset dhe zhvillimin ekonomik të vendit.