Universiteti i Tetovës dhe Akademia e Studimeve Albanologjike nga Republika e Shqipërisë e intensifikojnë  bashkëpunimin e tyre në funksion të zhvillimit institucional edhe në lëmin e kërkimeve shkencore. Gjatë vizitës së tij në Universitetin e Tetovës, Rektori i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akademik Prof. Dr.  Marenglen Verli, është pritur në takim pune nga prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili. Në këtë takim u tha se marrëveshjet e reja për bashkëpunim, veprimtaria arsimore dhe kërkimet shkencore edhe në kushte pandemie duhet të vijojnë të zhvillohen, gjithnjë duke iu përmbajtur rekomandimeve dhe protokolleve të posaçme të autoriteteve shtetërore.

“Sigurisht se, e gjithë vëmendja sot është te kujdesi për shëndetin dhe përpjekjet maksimale në betejën  kundër përhapjes së virusit korona, por edhe në këto rrethana jemi të angazhuar që të mos cenohet procesi mësimor-shkencor, andaj kemi ndërmarrë veprimet e duhura që ta realizojmë veprimtarinë e përgjithshme të Universitetit edhe në kushte pandemie”, deklaroi prorektori për Arsim, Prof. Dr. Reshat Qahili.

“Vizitat në institucionin Tuaj i konsiderojmë me rëndësi të veçantë, sepse ndër vite e kemi kultivuar bashkëpunimin dhe në këtë mënyrë kemi pasur rezultate dhe suksese të përbashkëta, që kanë lënë gjurmë në fushën e studimeve shkencore. Përtej raportit vëllazëror, institucionet tona kanë dhënë shembullin se si me përkushtim, seriozitet dhe punë arrihen suksese të mëdha, andaj, më vjen mirë që sot me këtë vizitë po i hapim rrugën zyrtarizimit të një marrëveshjeje tjetër, që ka synime të qarta për arsimin, shkencën dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit”, thekoi rektori  i Akademisë së Studimeve Albanologjike, Akademik Prof. Dr. Marenglen Verli.

Marrëveshja e zyrtarizuar sot, mes dy institucione arsimore dhe shkencore përfshin bashkëpunimin në fushat akademike me interes të përbashkët, bazuar në parimet e barazisë dhe të reciprocitetit; shkëmbimin e stafit akademik, të hulumtuesve dhe studentëve në kuadër të veprimtarive kërkimore-shkencore; nxitjen, mbështetjen dhe realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore; nxitjen, mbështetjen dhe realizmin e veprimtarive të tjera shkencore (konferenca, seminare dhe botime në fushat me interes të dyanshëm), si dhe shkëmbimin e literaturës shkencore; hulumtimin e arkivave dhe bibliotekave të ASA-së nga stafi akademik dhe studentet e UT-së.

Me këtë marrëveshje, të dy institucionet akademike e konfirmojnë bashkëpunimin e frytshëm dhe përkushtimin e tyre në avancimin e studimeve shkencore në fushën e albanologjisë.

 

Zyra për informim