Universiteti i Tetovës dhe Asociacioni për Edukim Shëndetësor dhe Hulumtim (HERA), kanë nënshkruar Memorandum bashkëpunimi, me qëllim të krijimit të një partneriteti strategjik dhe zhvillimit të aktiviteteve të përbashkëta në fushën e psikologjisë, administratës publike dhe shkencave sociale, me fokus të veçantë në dhunën me bazë gjinore, përfshirjen sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

Në këtë kuadër, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, së bashku me Prorektorin për Shkencë, Prof. Dr. Agon Memeti, dekanen e Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Sheruze Osmani-Ballazhi, si dhe udhëheqësen e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc. Dr. Hatibe Deari-Zeqiri, i pritën në takim Elizabeta Bozinoskën – Drejtoreshë e Programit, Milos Stojanovikin – Drejtor Financiar dhe Vesna Matevskën– Koordinatore e Programit. Memorandumi parasheh bashkëpunim në krijimin e një qendre këshillimore për shëndetin mendor, organizimin e praktikave studentore dhe punëtorive edukative, mbështetjen e institucioneve shëndetësore, si dhe realizimin e projekteve dhe hulumtimeve të përbashkëta.

Përmes këtij bashkëpunimi, palët synojnë të fuqizojnë partneritetin akademik dhe profesional, të promovojnë mirëqenien e të rinjve dhe të kontribuojnë në avancimin e përfshirjes sociale dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.