Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, ditë më parë realizoi një takim me drejtorin e kompanisë së njohur “Renova” z. Shefki Idrizin dhe drejtorin e fondacionit “Renova”, Dr. Beqir Memetin.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për forcimin e lidhjeve ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe sipërmarrjeve private, me qëllim krijimin e mundësive të reja për zhvillim, avancimin e kapaciteteve profesionale dhe mbështetjen e proceseve kërkimore-shkencore.
Duke u bazuar në veprimtarinë e kompanisë “Renova” bashkëpunimi pritet të konkretizohet përmes Laboratorit për Testim dhe Kontroll të Materialeve Ndërtimore, i cili funksionon në kuadër të Fakultetit të Shkencave të Zbatuara të Universitetit të Tetovës. Ky laborator përbën një mundësi të rëndësishme për ndërlidhjen e njohurive akademike me nevojat dhe kërkesat e sektorit të ndërtimtarisë, duke kontribuuar në zhvillimin e praktikave profesionale dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve.
Në kuadër të këtij bashkëpunimi, u shqyrtuan edhe mundësitë për mbështetjen e studentëve të Universitetit të Tetovës përmes bursave studimore, të cilat do të kontribuonin në lehtësimin e procesit të studimeve dhe krijimin e kushteve më të mira për avancimin e tyre akademik. Përmes mbështetjes së fondacionit “Renova”, synohet të nxitet përkushtimi ndaj studimeve, të promovohen rezultatet e arritura dhe të krijohen mundësi të reja për studentët që kanë nevojë për përkrahje financiare.
Gjatë takimit, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti shprehu mirënjohjen e tij për kompaninë “Renova” dhe fondacionin “Renova”, për gatishmërinë për të mbështetur këtë institucion dhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi në të ardhmen.
Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërmjet universiteteve dhe sektorit privat, duke vlerësuar se iniciativa të tilla krijojnë mundësi për zhvillimin e projekteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave dhe shfrytëzimin e potencialeve profesionale në funksion të nevojave të shoqërisë.
Bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Tetovës, kompanisë “Renova” dhe fondacionit “Renova” përbën një hap të rëndësishëm drejt forcimit të lidhjeve me sektorin privat, mbështetjes së studentëve dhe krijimit të mundësive për zhvillim akademik, profesional dhe ekonomik.





