Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli e priti në takim pune sekretarin e përgjithshëm të Kryqit të Kuq në Republikën e Maqedonisë së Veriut z. Sait Saiti. Me këtë rast, Rektori i UT-së theksoi se Universiteti i Tetovës krahas veprimtarisë së tij arsimore dhe shkencore gjithmonë ka bashkëpunuar edhe me institucione të tjera nga vendi ynë dhe jo vetëm, sikurse edhe me organizata të ndryshme vendore e ndërkombëtare.
Po ashtu Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli theksoi se në Maqedoninë e Veriut, Kryqi i Kuq ka luajtur një rol të rëndësishëm në ofrimin e ndihmës humanitare, duke përfshirë shpërndarjen e ushqimit, veshmbathjeve, ilaçeve dhe ndihmës për të prekurit nga fatkeqësitë natyrore, si dhe për ata që ndodhen në kushte të vështira sociale. Universiteti i Tetovës në të kaluarën gjithmonë u është përgjigjur thirrjeve të Kryqit të Kuq në aksione të ndryshme humanitare dhe gjithmonë do të jetë i gatshëm për të kontribuuar me mundësitë dhe kapacitetet që posedon për të ndihmuar.
Ndërsa sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq z. Sait Saiti tha se këtë vit Kryqi i Kuq në Republikën e Maqedonisë së Veriut e shënon vitin jubilar të 80-vjetorit të themelimit dhe do të realizohen një sërë aktivitetesh për ta bërë më madhështor këtë jubile. Po ashtu është paraparë që në bashkëpunim me Universitetin e Tetovës të organizohet edhe një debat me përfaqësues të dy institucioneve, ku pritet të diskutohet mbi veprimtarinë e Kryqit të Kuq dhe shprehjen e humanizmit në përgjithësi.
Veç tjerash, Rektori i UT-së Prof. Dr. Jusuf Zejneli dhe sekretari i përgjithshëm i Kryqit të Kuq z. Sait Saiti biseduan edhe për realizimin e disa aktiviteteve të tjera në të ardhmen, me qëllim kyçjen e studentëve në aksione humanitare.