Dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike–Natyrore në Universitetin e Tetovës, Prof. Dr. Florim Idrizi, së bashku me Prof. Dr. Alit Ibraimi, zhvilluan një vizitë zyrtare në Fakultetin e Inxhinierisë të Universitetit South West University “Neofit Rilski” – Bullgari. Gjatë kësaj vizite u realizua një takim pune me dekanen e këtij fakulteti, Prof. Dr. Snezhina Andonova, si dhe me udhëheqësen e programit studimor të Shkencave Kompjuterike, Prof. Dr. Fatima Sapundzhi.

Takimi kishte karakter shkencor-hulumtues dhe u fokusua në shkëmbimin e përvojave akademike, identifikimin e fushave të përbashkëta të interesit, si dhe në diskutimin e mundësive konkrete për bashkëpunim ndërinstitucional. Theks i veçantë iu kushtua përgatitjes dhe aplikimit të përbashkët në projektet Erasmus+ KA2, të cilat janë aktualisht të hapura për aplikim për vitin 2026.

Përfaqësuesit e të dy universiteteve shprehën gatishmëri për të intensifikuar bashkëpunimin në fushën e kërkimit shkencor, zhvillimit të programeve studimore dhe realizimit të projekteve ndërkombëtare, me synim rritjen e cilësisë akademike dhe krijimin e mundësive të reja për studentët dhe stafin akademik.