Në amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi” të Universitetit të Tetovës (25. 2. 2026), u zhvillua debat publik mbi projektligjin për arsimin e lartë, që pritet të sjellë ndryshime thelbësore në strukturën dhe funksionimin e universiteteve në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë aktivitet i cili u zhvillua në gjuhën shqipe, e pranishme ishte edhe Prof. Dr. Vesna Janevska Ministre e Arsimit dhe Shkencës në RMV e cila prezantoi dispozitat kryesore të projektligjit dhe iu përgjigj pyetjeve të bëra nga pjesëmarrësit. Debati u ndoq ga një numër i konsiderueshëm profesorësh, studentë, përfaqësues të institucioneve akademike si dhe nga ekspertë të tjerë të fushës së arsimit.
Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, tha se propozimligji duhet të ndryshohet dhe i njëjti duhet të jetë në harmonizim me gjendjen reale të arsimit të lartë. “Çdo fakultet ka miratuar vërejtjet e profesorëve. Në Këshillin e Rektoratit janë miratuar vërejtjet e profesorëve. Numri më i madh i vërejtjeve kanë të bëjnë me cenimin e autonomisë universitare. Me faktin që parashihet të ekzistojë Këshill Universitar, me këtë zbehet autonomia e universiteteve. Vërejtje ka edhe për akreditimin për studimet e doktoratës. UT-ja i plotëson të gjitha kriteret, pasi që ka staf dhe punime shkencore, por kriteret e ligjit të ri nuk janë në përputhje me gjendjen reale. Po ashtu tek zgjedhjet në thirrjet mësimore-shkencore, të merret parasysh gjendja reale e arsimit të lartë në vend, për arsye se disa kushte nuk varen vetëm nga ne por edhe nga investimet që bëjnë institucionet në universitete dhe njëkohësisht të merren parasysh edhe revistat të cilat botohen në kuadër të Universitetit, sepse ne kemi investuar një kohë të gjatë, ato janë të indeksuara me impakt faktorë. Krahas tyre të merren parasysh edhe revistat shkencore dhe të ulet numri, pra të jetë numri real i publikimeve për stafin akademik. Senati i Universitetit tonë ka vendim me të cilin propozon që ligji më mirë të tërhiqet dhe rishikohet dhe të ketë draft më të arsyeshëm i cili është në harmoni me gjendjen reale. Ne jemi për ta mbrojtur gjendjen reale, propozimligji duhet të ndryshohet dhe të jetë në harmoni me punën e universiteteve.”- konkludoi Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli.
Ndërsa Kryetari i Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati në fjalën e tij, ndër të tjera i paraqiti vërejtjet themelore të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e arsimit të lartë:
- Neni 86 – Këshilli Universitar (përbërja, kompetencat dhe autonomia) Çfarë parasheh ligji? Dispozita parashikon formimin e një Këshilli Universitar, në përbërjen e të cilit një pjesë e konsiderueshme e anëtarëve emërohen nga jashtë universitetit, paralelisht me përfaqësuesit e brendshëm. Pse kjo paraqet problem? Anëtarët e emëruar nga jashtë mund të fitojnë ndikim në vendimet strategjike dhe financiare; nëse kompetencat nuk janë të përcaktuara qartë, Këshilli mund të mbizotërojë praktikisht mbi Senatin; ekziston rreziku i konfliktit të interesit në vendimet për pronën, financat dhe politikat zhvillimore. Çfarë do të thotë kjo në praktikë? Zhvendosje e peshës nga organet akademike drejt strukturave menaxheriale; rrezik i politizimit të vendimmarrjes; bllokada institucionale dhe vendime kontestuese ndërsa autonomia kushtetuese kërkon që çështjet akademike të mbeten nën vetëqeverisje reale të komunitetit universitar.
- Heqja e titujve “Docent i titulluar” dhe “Profesor inordinar i titulluar”. Çfarë parasheh ligji? Propozimligji nuk i parasheh titujt docent i titulluar dhe profesor inordinar i titulluar që ekzistonin në ligjin paraprak. Kjo në praktikë nënkupton heqjen e mundësisë për angazhimin e tyre në procesin mësimor. Pse kjo është problem për Universitetin e Tetovës? Sidomos në Fakultetin e Mjekësisë dhe në fakultete të tjera profesionale, këta tituj janë instrument thelbësor për sigurimin e vazhdimësisë së procesit mësimor; në kushte kur nuk jepen pëlqime për punësime të reja, profesorët me tituj të titulluar ndihmojnë në plotësimin e nevojave kadrovike, ata sjellin vlerë të shtuar për studentët përmes përvojës së tyre praktike; heqja e tyre e privon universitetin nga një mekanizëm fleksibil për angazhimin e kuadrit cilësor pa barrë shtesë financiare.
- Kriteret e ashpërsuara dhe kufizimi i avancimit akademik. Propozimi për forcimin e kritereve për zgjedhje në titujt akademikë (docent, profesor inordinar, profesor ordinar), me theks të shtuar në publikime me “impact factor” në Web of Science dhe Scopus, mund të ketë pasoja negative për kuadrin e ri akademik. Sipas të dhënave të Universitetit të Tetovës: 130 mësimdhënës (33.77%) janë profesorë ordinarë; 125 (32.47%) janë profesorë inodrinarë; vetëm 74 (19.22%) janë docentë, nga gjithsej 329 mësimdhënës.Kjo strukturë tregon se pjesa më e madhe e pozitave të larta tashmë janë të plotësuara. Ashpërsimi shtesë i kushteve mund ta vështirësojë edhe më shumë avancimin e kuadrit të ri, duke krijuar stagnim në karrierë në vend të ripërtëritjes gjeneratave dhe zhvillimit akademik. Për t’u zgjedhur në titullin docent, kandidati duhet të ketë qenë paraprakisht i angazhuar si asistent ose bashkëpunëtor në institucion të arsimit të lartë. Pse paraqet problem kjo dispozitë? E kufizon konkurrencën vetëm tek kuadrot e brendshme. Penalizon doktorantët që kanë përfunduar studimet në universitete prestigjioze jashtë vendit, por nuk kanë pasur status formal asistenti; e ul hapjen dhe ndërkombëtarizimin e universiteteve. Në shumë sisteme (Gjermani, Austri, Itali, Kroaci) nuk kërkohet domosdoshmërisht status paraprak si asistent. Neve na nevojitet një model i balancuar që nxit cilësinë, por edhe mundëson përparim real për gjeneratat e reja të studiuesve.
- Neni 124 – Cikli i tretë (Studimet e doktoratës). Çfarë parasheh ligji? Neni 124 lejon organizimin e studimeve të doktoratës vetëm për universitetet që plotësojnë kushte të larta dhe kumulative, përfshirë: të jenë të renditura ndër “katër të parat”; të kenë ushtruar veprimtari së paku 15 vjet; të kenë pragje të larta për projekte dhe publikime; të gjitha kushtet të vlejnë në mënyrë kumulative. Pse kjo paraqet problem? Problemi është i trefishtë: Renditja si pengesë juridike – renditja është instrument analitik, por nuk duhet të shndërrohet në filtër monopolistik për ciklin e tretë; kushti prej 15 vitesh – mosha institucionale nuk është garanci për cilësinë e programit doktoral dhe krijon pengesë strukturore për universitete më të reja që mund të kenë kapacitete të mjaftueshme në fusha të caktuara dhe, kumulativiteti i kushteve – plotësimi kumulativ i shumë kritereve përjashton praktikisht një pjesë të madhe të sistemit universitar, duke çuar drejt centralizimit dhe jo konkurrencës së bazuar në cilësi.
Sipas Kryetarit të Senatit Prof. Dr. Kenan Ferati, qëllimi i këtyre vërejtjeve është përmirësimi i zgjidhjeve ligjore dhe ruajtja e autonomisë universitare, zhvillimit të barabartë institucional dhe përparimit të qëndrueshëm akademik. Reforma është e domosdoshme, por ajo duhet të ndërtohet mbi dialog, barazi dhe respekt për parimet themelore të arsimit të lartë
Gjatë diskutimeve u ngritën çështje të rëndësishme që kanë të bëjnë me autonominë universitare, financimin e institucioneve të arsimit të lartë, si dhe standardet e akreditimit. Disa nga profesorët e pranishëm shprehën kërkesa konkrete lidhur me kushtet e punës dhe mbrojtjen e të drejtave të personelit akademik. Debati publik është pjesë e një procesi konsultativ të gjerë që Ministria e Arsimit dhe Shkencës po zhvillon në të gjithë vendin, përpara miratimit përfundimtar të projektligjit në Kuvend.









