Universiteti i Tetovës, sot e mirëpriti në takim zyrtar një delegacion nga Universiteti i Kırklarelit të Republikës së Turqisë, i përbërë nga Rektorja Prof. Dr. Rengin Ak dhe Prof. Dr. Berna Ak Bingül, nga Fakulteti i Ekonomisë i këtij institucioni. Delegacioni u prit nga Prorektori për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Prof. Dr. Salajdin Salihi, i shoqëruar nga udhëheqësja e Zyrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, Doc. Dr. Hatibe Deari –Zeqiri dhe profesori i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Ali Maksuti.

Gjatë takimit u diskutua për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit akademik ndërmjet dy universiteteve, veçanërisht në fushën e shkëmbimit të studentëve dhe stafit akademik, realizimit të projekteve të përbashkëta kërkimore-shkencore, organizimit të konferencave dhe kongreseve si dhe zhvillimit të aktiviteteve me interes të përbashkët. Në kuadër të bisedës, u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndëruniversitar në shkëmbimin e përvojave dhe njohurive, sidomos për studentët, qofshin në kuadër të programeve Erasmus, apo edhe vizitave të zakonshme. Përmes këtyre shkëmbimeve, studentët përfitojnë njohuri bashkëkohore, aftësi praktike dhe përvoja të çmuara ndërkulturore që do t’u shërbejnë si një bazë e fortë për zhvillimin e tyre akademik dhe profesional.

Në këtë frymë, bashkëbiseduesit shprehën gatishmërinë për të zhvilluar më tej bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve duke shqyrtuar mundësi konkrete për realizimin e nismave të përbashkëta në të ardhmen.