Aktivitetet për shënimin e 27-vjetorit të themelimit, Universiteti  i Tetovës i filloi me homazhe te Flakadani i Kujtesës dhe shtatorja e themeluesit dhe Rektorit të parë të UT-së Prof. Dr. Fadil Sulejmani, duke përkujtuar e nderuar kontributin dhe sakrificën e  gjithë martirëve të arsimit shqip në këto treva.

Në akademinë solemne ku u shënua 27-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës, morën pjesë një numër i madh personalitetesh nga sfera të ndryshme të jetës, në mesin e të cilëve u.d. Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Reshat Qahili, kryetari i Senatit të UT-së Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi, zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë së vendit tonë z. Artan Grubi, kryetari i Bashkësisë Fetare Islame Reis Ul – Ulema Shaqir Effendi Fetahi, kryetari i BDI-së z. Ali Ahmeti, kryetari i Alternativës z. Afrim Gashi, kryetari i Lëvizjes Besa dhe kryetar i komunës së Tetovës z. Bilall Kasami, myftiu i Tetovës z. Qani Nesimi, deputetë, ministra, zëvendësministra, përfaqësues të komunitetit të biznesit, përfaqësues të shoqërisë civile,  drejtues institucionesh në nivel lokal dhe qendror, prorektorë universitetesh, profesorë dhe studentë.

Akademinë e shpalli të hapur u.d. Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Reshat Qahili. Ai tha se Universiteti ynë filloi me punë sot e 27 vjet më parë, për t’i dhënë fund një herë e përgjithmonë diskriminimit që i bëhej popullit shqiptar të trevave tona dhe për ta trasuar një të ardhme më të mirë për të gjitha etnitetet që jetojnë në Republikën e Maqedonisë së Veriut. “Shikuar në këtë prizëm, Universiteti është platforma jonë e përbashkët, pikëgërshetimi i historisë sonë, traditave, vizionit dhe idealit tonë të përbashkët. Universiteti i Tetovës sot e feston ditëlindjen e 27-të, ai lindi nga ëndrra shekullore për arsimim në gjuhën amtare, nga gjaku, djersa, mundi dhe sakrifica e gjeneratave të tëra. Nëse ne tani, e shikojmë në retrospektivë, përpara syve na shfaqet një universitet përplot dinamikë, i cili shkallë-shkallë po merr konturat e një institucioni prijës në vend dhe rajon. Vetë trajektorja e kohës e dëshmon këtë më së miri, e cila njeh vetëm ngritjen përpjetë dhe asgjë tjetër. Jo vetëm konsolidimi infrastrukturor e dëshmon këtë, me objektin, mësonjëtoret moderne, laboratorët shkencorë, fushat dhe salla e sportit, por, para së gjithash, puna fisnike e Universitetit dëshmohet edhe me botimin e revistave shkencore për çdo fakultet veç e veç, të cilat janë indeksuar ndërkombëtarisht, me lëvizshmërinë e studentëve, stafit akademik dhe administrativ nëpër universitetet më prestigjioze evropiane, me pjesëmarrjen në programet e Komisionit Evropian, me përfitimin e projekteve të shumta ndërkombëtare” – tha Rektori  Prof. Dr. Reshat Qahili.

Ai më tej tha se ky Universitet i ka dhënë shumë këtij vendi, ka prodhuar kuadro për piramidën shtetërore në përputhje me Marrëveshjen e Ohrit, ka nxjerrë edukatorë dhe mësues, inxhinierë dhe ekonomistë, mjekë dhe artistë, ka ndikuar në zhvillimin shpirtëror të shoqërisë dhe në krijimin e paqes së përhershme në shtetin tonë të përbashkët. “Për transformimet e mëdha shoqërore nevojitet një simbiozë e të gjithë aktorëve, por universitetet duhet t’i prijnë këtij procesi dhe të jenë në korrelacion të vazhdueshëm me organet e shtetit. Reformimi i përgjithshëm, rritja e cilësisë, përsosja e nivelit të mësimdhënies dhe e kërkimit shkencor, për Universitetin e Tetovës tashmë konsiderohen sfida të tejkaluara dhe këto arritje dëshmohen me interesimin e studentëve të rinj dhe besueshmërinë e lartë që Universiteti ynë gëzon në opinionin e gjerë. Si rezultat i këtij angazhimi, ne kemi arritur t’i përmbushim objektivat dhe synimet tona në afrimin e studentëve të rinj, përkatësisht në rritjen e numrit të atyre që regjistrohen në programet studimore në të gjitha fakultetet që ne ofrojmë. Kemi vijuar me mbështetjen për studentët duke ju ofruar lehtësime në disa kategori pagesash, ndërsa një numër të konsiderueshëm i kemi liruar plotësisht nga detyrimet e pagesave të semestrave. Këtu vlen të theksojmë se, për ekselentët e UT-së kemi ndarë rreth 100 bursa për studentët e ciklit të parë dhe ciklit të dytë, për vitin akademik 2021/2022. Jo pak rëndësi i kemi kushtuar bashkëpunimit ndëruniversitar me universitetet shqiptare, universitetet nga rajoni dhe ato ndërkombëtare duke intensifikuar marrëdhëniet ndërinstitucionale me universitetet shqiptare nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës, universitetet prestigjioze nga rajoni dhe bota” – shtoi mes tjerash u.d. Rektori i UT-së Prof. Dr. Reshat Qahili.

Me prezencën e tij këtë akademi e nderoi edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut z. Talat Xhaferi. Ai u shpreh se të gjithë ne që në cilindo aspekt kemi ndikim në përgatitjen arsimore dhe profesionale të këtyre fidanëve të rinj, duhet të bëjmë maksimumin në fushëveprimin tonë, për të mundësuar që kjo energji rinore, të kanalizohet, të orientohet dhe të shfrytëzohet në mënyrën më të mirë të mundshme, për të mirën e studentëve, të mjedisit lokal, por edhe qendror. “Të kontribuojmë që të duan të mbesin këtu, në vendlindje, këtu të shohin shpresën  dhe perspektivën për përmbushjen e aspiratave profesionale, por mbi të gjitha, familjare dhe jam i bindur se suksesi i tyre do të jetë shpërblimi më i madh për të gjithë ne. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë të jetë vendi që do t’i mbajë vazhdimisht dyert hapur për çdo kontribut konstruktiv dhe do t’i bëjë gjitha përpjekjet për të nxjerrë zgjidhje ligjore më të mira në fushën e arsimit për studentët tanë, dhe universitetet vendore, që të kapin hapin e njëjtë me universitetet botërore, duke mbajtur llogari që pavarësia financiare dhe kadrovike e universiteteve të jetë udhërrëfyesi kryesor për ruajtjen e autonomisë universitare. Kështu, nuk kam dyshim se Universiteti i Tetovës, stafi i tij akademik, do të vazhdojnë të prodhojnë vlera dhe rezultate që do ta pozicionojnë këtë tempull të diturisë në piedestalin e lartë të botës akademike” – theksoi kryetari i Kuvendit z. Talat Xhaferi.

Në emër të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut të pranishmëve me fjalë rasti iu drejtua zëvendëskryeministri i parë z. Artan Grubi. Sipas tij, 27 vitet e Universitetit të Tetovës janë shëmbëlltyra e përpjekjeve tona kombëtare për barazi në këtë vend. “Universiteti ynë i parë kaloi sfida të shumta në këto gati tre dekada për t’u bë kushtrim lirie, burim atdhedashurie e frymëzim brezash, fillimisht për të ruajtur rrënjët e identitetit e më pastaj për të hapëruar të lirë mbi kauzën tonë të drejtë të përparimit. Këtë ditë padyshim që duhet ta shënojmë si triumf të përpjekjes së sinqertë dhe te drejtë për të shkolluar rininë tonë në gjuhën amtare, për t’i mundësuar asaj të shikojë pa asnjë pengesë horizontin e të mirave të jetës që i sjell dija. Është ditë reflektimi mbi të gjitha të arriturat e përbashkëta sepse na sjell në mendje një histori të tërë përpjekjesh frymëzuese që assesi nuk duhet harruar gjeneratë pas gjenerate. Në këtë ditë nuk duhet harruar assesi dhe duhet kujdesur që t’ua përcjellim edhe gjeneratave pas nesh kontributin e shumë familjeve atdhetare që guxuan të shndërrojnë shtëpitë e tyre në auditore universitare për të mbijetuar ky Universitet bashkë edhe me sakrificën sublime te Abdylselam Eminit. 

E sotmja tejkalon kufijtë e përvjetorit, është ditë edhe e reflektimit dhe vlerësimit te rolit të sotëm të Universitetit të Tetovës. Është me të vërtetë kënaqësi të dëshmosh mbi suksesin e gjeneratave të shumta të këtij Universiteti që sot janë kuadro udhëheqëse të proceseve progresive të udhëheqjes së shtetit në çdo sferë të tij, deputetë, ministra, drejtues institucionesh. Me kënaqësi dhe krenari konstatoj se Universiteti ynë vazhdon të jetë burim i pashtershëm kapacitetesh kadrovike dhe qendër e padiskutueshme shkencore që bashkon mendjet e ndritura të kombit përmes bashkëpunimeve me universitetet tjera në vend e jashtë” – vlerësoi zëvendëskryeministri i parë z. Artan Grubi. 

Në këtë akademi, në të cilën u shënua 27-vjetori i themelimit të Universitetit të Tetovës,  u.d. Rektori i Prof. Dr. Reshat Qahili i ndau një  mirënjohje bashkë me logon e madhe të Universitetit të Tetovës profesorit të katedrës së Fizikës në Universitetin tonë, Prof. Dr. Kimet Jusufi për arritjet e tij shkencore,  pasi është zgjedhur në mesin e 2% të shkencëtarëve më produktivë në rang global për vitin 2021 sipas studimit të Standfort University.

Pas marrjes së mirënjohjes dhe dhuratës Prof. Dr. Kimet Jusufi e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Reshat Qahili dhe Universitetin për vlerësimin që kanë treguar ndaj kontributit të tij shkencor. “Mendoj që është një ditë e jashtëzakonshme, ndihem shumë krenar që për 27-vjetorin e themelimit të Universitetit të jem edhe unë pjesë dhe të kem nderin të marr një mirënjohje të tillë. Kjo mirënjohje më stimulon që unë të vazhdoj më tutje të punoj për të arritur rezultate shkencore. Gjithashtu dëshiroj të theksoj se Universiteti është një pasuri kombëtare e jona dhe është obligimi ynë që t’i stimulojmë studentët të punojnë në të ardhmen për kuadro të reja, por në të njëjtën kohë edhe të promovojmë kërkime shkencore dhe ta prezantojmë Universitetin jashtë vendit” – u shpreh me këtë rast Prof. Dr. Kimet Jusufi.

Akademia për shënimin e 27-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tetovës u përmbyll me një program artistik të përgatitur nga profesorët e Fakultetit të Arteve: Besiana Mehmedi, Kastriot Tusha, Bajramali Idrizi dhe Shkëlzen Baftjari