Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Grave dhe Vajzave në Shkencë, Prorektori për Shkencë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti i priti në një takim prodekanet për shkencë të fakulteteve të Universitetit të Tetovës. Ky takim kishte për qëllim të theksonte rolin dhe kontributin e grave në fushën akademike dhe shkencore, si dhe të inkurajonte përfshirjen e tyre në projekte kërkimore dhe inovative.
Gjatë takimit, u theksua rëndësia e mbështetjes së grave në shkencë dhe në arsimin e lartë, si dhe nevoja për më shumë iniciativa dhe projekte që inkurajojnë pjesëmarrjen e tyre aktive në zhvillimin shkencor dhe akademik. Prorektori për Shkencë Prof. Dr. Vullnet Ameti theksoi se Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar në promovimin e barazisë gjinore në shkencë dhe në krijimin e mundësive të barabarta për të gjitha gratë dhe vajzat që ndjekin rrugën akademike dhe kërkimore. Ndërsa pjesëmarrëset në këtë takim thanë se janë të nderuara dhe mirënjohëse për vlerësimin dhe mbështetjen që Universiteti i Tetovës u jep grave në shkencë dhe se ky është një moment i rëndësishëm për të reflektuar mbi kontributin e grave në kërkimin shkencor dhe për të nxitur brezat e rinj të vajzave që të ndjekin rrugën e dijes dhe inovacionit.
Në shenjë vlerësimi për punën dhe përkushtimin e tyre në arsim, kulturë dhe shkencë, Prorektori për Shkencë u ndau mirënjohje prodekaneve të pranishme. Ky akt u bë edhe në nderim të figurës së shquar të shkencëtares së parë shqiptare në fushën e biologjisë Sabiha Kasimatit e cila la një trashëgimi të rëndësishme në botën akademike dhe shkencore.