Universiteti i Tetovës dhe Agjencia për Cilësi në Arsimin e lartë në Republikën e Maqedonisë së Veriut sot nënshkruan një memorandum bashkëpunimi. Akti i këtij bashkëpunimi u firmos më 29.12.2020 në Universitetin e Tetovës nga ana e Rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, dhe Drejtorit të Agjencisë për Cilësi në Arsimin e Lartë, Prof. Dr. Agim Rushiti.
Ky memorandum bashkëpunimi buron nga nevoja për vendosjen dhe zhvillimin e bashkëpunimit të ndërsjellë dhe promovimit të mirëkuptimit mes dy institucioneve si në: organizimin e aktiviteteve të përbashkëta në fushën e avancimit të cilësisë në arsimin e lartë me interes të përbashkët; krijimin dhe organizimin e veprimtarive të tjera, që synojnë mirëqenien e përgjithshme të të dy institucioneve dhe veprimtarisë që zhvillojnë si dhe forma të tjera të bashkëpunimit, që të dy institucionet do të përcaktojnë së bashku.
Sipas memorandumit, Universiteti i Tetovës dhe Agjencia për Cilësi në Arsimin e Lartë bien dakord që të dy institucionet do të ndajnë informata relevante të interesit të ndërsjellë; do ta ftojnë institucionin bashkëpunues dhe do të marrin pjesë në trajnime profesionale, seminare, konferenca, tryeza të rrumbullakëta dhe ngjarje të tjera, që lidhen me forcimin e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve të të dy institucioneve. Po ashtu do të ndihmojnë njëri-tjetrin me këshilla profesionale, eksperiencë dhe resurse tjera si dhe do të ndajnë përvojat ekzistuese dhe të reja të rëndësishme për fushën e tyre të veprimtarisë dhe grupit respektiv.
Memorandumi që është nënshkruar sot është i vlefshëm për një periudhë prej katër vjetësh. Pas kësaj periudhe, nëse të dyja palët nuk kanë një shënim me shkrim dërguar në anën tjetër, ai do të vazhdohet automatikisht edhe për katër vjetët e ardhshëm.