Fakulteti i Shkencave Matematike – Natyrore i Universitetit të Tetovës sot nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës dhe shkollën e lartë profesionale “Cacttus”.
Memorandumet e sipërpërmendura përfshijnë projekte të përbashkëta kërkimore dhe pilot projekte; Shkëmbim të stafit hulumtues dhe mësimdhënësve; Shkëmbim të studentëve; Organizim të seminareve, konferencave, punëtorive të përbashkëta dhe të ngjashme; Shkëmbim të botimeve shkencore dhe materialeve tjera për qëllime kërkimi dhe arsimimi; Shfrytëzimin e laboratoreve të përbashkëta për hulumtime shkencore dhe studime të doktoratës si dhe bashkëpunim në bashkë autorësi të punimeve shkencore.
Në këtë takim morën pjesë prorektori për Shkencë, Prof.Dr. Agon Memeti, dekani i Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, Prof.Dr.Alit Ibraimi, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof.Dr. Salajdin Salihu, prorektorja për Financa, Prof.Dr. Aida Yzeiri – Baftjari, prorektori për Arsim, Prof.Dr. Ibrahim Neziri, prodekania për Shkencë e FSHMN-së, Prof.Dr. Florinda Muhaxheri – Imeri, shefi i Programit Studimor – Informatikë, Prof.Dr. Florim Idrizi, përgjegjësja e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Doc.Dr. Hatibe Deari – Zeqiri, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike nga Universiteti i Prishtinës, Prof.Dr. Isak Shabani, profesoreshat e po të njëjtit fakultet, Prof.Ass.Dr. Dhuratë Hyseni dhe Prof.Ass.Dr. Nora Sadiku – Dushi si dhe drejtoresha e shkollës së lartë profesonale “Cacttus”, Vildane Kelmendi.
Pas nënshkrimit të memorandumeve, Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore në ambientet e kampusit të Universitetit të Tetovës e shënoi Ditën Ndërkombëtare të Programuesve. Në këtë ngjarje ishin të ftuar ish-studentët e Shkencave kompjuterike që tashmë punojnë në kompani të njohura vendore dhe ndërkombëtare. Këtë aktivitet e përshëndeti Prof. Dr. Florinda Imeri – prodekane për shkencë në FSHMN. Ajo tha se në vitin jubilar të UT-së, 30-vjetorit të themelimit, teksa jemi mblidhur të festojmë “Ditën Ndërkombëtare të Programuesve”ne nderojmë jo vetëm arritjet teknologjike të kohës sonë, por dhe individët e jashtëzakonshëm që qëndrojnë pas këtyre inovacioneve.
Para pjesëmarrësve në këtë aktivitet, ish-studentët, përkatësisht alumni i këtij programi studimor i prezantuan historitë e tyre të suksesit, arritjet dhe përvojat e përfituara në kompanitë prestigjioze.