Universiteti i Tetovës ishte nikoqir i Konferencës për Paqe: “Nga iniciativat rinore drejt paqes së qëndrueshme”, organizuar në kuadër të projektit Erasmus+ “INNOV&PEACE”, bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian.
Konferenca e mbajtur më 24 mars 2026 në ambientet e Universitetit të Tetovës, mblodhi përfaqësues institucionalë, organizata ndërkombëtare, ekspertë dhe të rinj, të cilët diskutuan mbi rolin e iniciativave rinore në ndërtimin e paqes dhe forcimin e dialogut në shoqëri.
Në këtë aktivitet morën pjesë edhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare të paqes, ndër të cilët Presidenti për Evropë dhe Lindjen e Mesme i Federatës Universale për Paqe (UPF), Jacques Marion, kryetari i Federatës Universale për Paqe (UPF) për Shqipërinë, Dëfrim Methasani, sekretari Gani Rroshi dhe përfaqësuesi nga Maqedonia e Veriut, Prof. Dr. Afet Mamuti.
Në fjalën e tij, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, theksoi rëndësinë e angazhimit të të rinjve në proceset shoqërore, duke u shprehur se të rinjtë nuk janë vetëm liderët e së nesërmes, por edhe kontribuues aktivë të ndryshimit sot, duke sjellë ide të reja, energji dhe përkushtim për ndërtimin e urave aty ku dikur kanë ekzistuar ndarje.
Gjatë konferencës u trajtuan çështje që lidhen me sfidat e paqes në kohët bashkëkohore, duke vënë theksin te rëndësia e përfshirjes së të rinjve në promovimin e dialogut, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit ndërkulturor. Diskutimet u pasuruan edhe me kontributet e panelistëve dhe përfaqësuesve institucionalë nga vendi dhe rajoni.
Në kuadër të kësaj konference, u ndanë edhe titujt “Ambasador i Paqes” për personalitete të shquara, ndër të cilët: profesoresha e Fakultetit të Arteve të Universitetit të Tetovës, Drenusha Palloshi, artisti i grupit “Elita 5”, Arif Ziberi, si dhe deputetët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Rina Ajdari dhe Ilir Demiri.
Konferenca riafirmoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolin kyç të rinisë si faktor aktiv në ndërtimin e një shoqërie më të qëndrueshme, paqësore dhe gjithëpërfshirëse.















