Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, më 22 prill 2021, realizoi panel diskutimi online me temën “Sfidat e studentëve kundrejt pandemisë Covid-19”. Në këtë aktivitet morën pjesë profesorë të njohur nga Shqipëria e Kosova, të cilët shpalosën përvojat dhe pikëpamjet e tyre përmes prezantimeve përkatëse.
Hapjen e këtij paneli të diskutimit e bëri shefi i Programit studimor të Psikologjisë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Lulzim Murtezani, i cili theksoi se kjo temë është jashtëzakonisht brengosëse, me atë se çfarë po ndodh në përditshmërinë tonë. “Ne, të gjithë përballemi me këto rrethana pandemie, të kësaj lëngate, që po e dridh gjithë planetin. Nuk ka njeri, pa përjashtim, që mund t’u shmanget këtyre ndikimeve. Ajo që është tablo e errët e përditshmërisë sonë është ai kërcënimi i vazhdueshëm për shëndetin tonë, pikërisht është ai stresi kronik, ankthi dhe frika nga infektimi. Ne si Program studimor i Psikologjisë, duke u mbështetur në sloganin e Bashkimit Evropian, sipas të cilit nuk ka shëndet fizik, pa shëndet mendor, dizajnuam një qasje, dizajnuam një mënyrë se si të mos rrimë vetëm në pozitën e mbrojtësit pasiv ndaj këtyre kërcënimeve, me të cilat ne të gjithë përballemi, e sidomos në këtë drejtim e pamë të arsyeshme të dizajnojmë një sondazh dhe njëkohësisht, te pjesa e dytë e aktivitetit tonë ishte që të organizojmë këtë panel diskutimi virtual. Besoj se çështja kryesore, të cilën ne duhet sot ta diskutojmë është se, si mund ta bëjmë më të lehtë këtë periudhë. Në këtë drejtim jam i sigurt se pjesëmarrja e panelistëve do ta pasurojë këtë panel diskutimi me mesazhet dhe sugjerimet e tyre – tha shefi i Programit studimor të Psikologjisë i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Lulzim Murtezani.
Në këtë aktivitet mori pjesë edhe dekani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu, i cili e përshëndeti këtë panel diskutimi, i përgëzoi drejtuesit e Programit studimor të Psikologjisë, për nismën dhe organizimin e këtij paneli dhe i inkurajoi se, do ta kenë mbështetjen e vazhdueshme edhe në të ardhmen për nisma dhe organizime të këtilla, që janë në interes të përfaqësimit institucional dhe në interes të përgjithshëm shoqëror. “Si rrallëherë në histori, e gjithë bota gjendet e mbërthyer dhe ndjehet thuajse e pafuqishme përballë virusit vdekjeprurës Covid-19. Karshi të gjithë këtyre ndikimeve negative nga izolimi , periudha pas pandemisë pritet të jetë me trauma psikologjike, të cilave do të jetë vështirë për t’iu shmangur, përkundër ndryshimit të qasjes masive apo krijimit të psikologjisë së re sociale. Pandemia ka ndikuar edhe në shëndetin mendor të shumë qytetarëve dhe kjo dukuri vërehet çdo ditë e më shumë. Pandemia ka goditur çdo fushë të jetës, në veçanti sistemin arsimor, në të gjitha nivelet, nga ai parashkollor deri tek ai universitar. Universiteti i Tetovës dhe Fakulteti Filozofik, ndaj sfidave dhe sprovës së shkaktuar nga pandemia, reagoi shpejt, duke iu përshtatur kërkesave dhe protokolleve të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, duke u angazhuar që dëmet të jenë sa më të vogla dhe pasojat të jenë sa më afatshkurtra. Kështu, brenda disa ditësh u bënë të gjitha përgatitjet e nevojshme për realizimin e suksesshëm të mësimit në distancë.
Tema që ju trajtoni është shumë e vlefshme dhe me interes të veçantë, pasi trajton sfidat me të cilat u përballën studentët gjatë pandemisë Covid-19, bashkë me mësimdhënësit e tyre. Mendoj që diskutimet dhe hulumtimet në këtë drejtim janë të nevojshme për të pasur një pasqyrë të qartë, që do të ndihmonte për t’i korrigjuar gabimet e mundshme dhe përmirësuar e avancuar rezultate pozitive” – tha dekani i Fakultetit Filozofik i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Ibish Kadriu.
Temat të cilat u shtjelluan në këtë panel diskutimi ishin: “Izolimi dhe marrëdhëniet ndërpersonale”, nga Prof. Dr. Adem Tamo, nga Fakulteti i Shkencave Sociale i Universitetit të Tiranës; “Adaptimi me ndryshimet e situatës jetësore”, nga Mr. Sc. Valdete Adili, nga Shkolla e Mesme “Drita” në Kërçovë; “Shëndeti dhe mirëqenia personale/e familjes”, nga Ass. Prof. Dr. Liridona J. Gashi, nga Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës; si dhe “Prezantimi i gjetjeve nga sondazhi i realizuar”, nga Mr. Sc. Naser Ramadani i Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës.
Ky panel diskutimi u mbyll me një diskutim mes panelistëve në lidhje me temat që u trajtuan në temën e lartpërmendur.