Universiteti i Arteve – Tiranë, nëpërmjet Fakultetit të Artit Skenik, e organizoi edicionin e parë të International Student Film Festival in Tirana (ISFFT), i cili u zhvillua nga 21 deri më 24 prill 2026, ku morën pjesë studentë, profesorë dhe profesionistë të kinematografisë nga vende të ndryshme.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor synon promovimin e krijimtarisë së të rinjve në fushën e kinemasë, duke krijuar një mundësi bashkëpunimi, shkëmbimi artistik dhe zhvillimi profesional. Programi i pasur i festivalit përfshiu shfaqje filmash në kategoritë: film i shkurtër, dokumentar dhe animacion, si dhe masterclass-e, punëtori dhe panele diskutimi me profesionistë të njohur të industrisë së filmit.
Në këtë ngjarje me rëndësi të veçantë kulturore mori pjesë edhe Universiteti i Tetovës, përkatësisht Fakulteti i Arteve me programin studimor të Artit Dramatik. Universiteti ynë u përfaqësua nga Doc. Mr. Leotrim Idrizi dhe Mr. Lavdrim Alili, të cilët kontribuuan si panelistë në diskutimet mbi filmin dokumentar, si dhe nga dy studentë të vitit të parë të programeve Regji filmi dhe TV dhe Montazhë filmi dhe TV.
Edicioni i parë i ISFFT-së kishte në fokus Ballkanin Perëndimor, duke krijuar një hapësirë të përbashkët shkëmbimi akademik dhe artistik ndërmjet shkollave të filmit, studentëve dhe krijuesve të rinj të rajonit. Paralelisht, festivali mirëpriti edhe profesionistë nga Evropa, duke zgjeruar rrjetëzimin akademik dhe profesional dhe duke vendosur kinematografinë ballkanike në një dialog të drejtpërdrejtë me atë evropiane.
Pjesëmarrja e Universitetit të Tetovës në këtë festival kontribuon në thellimin e bashkëpunimeve midis institucioneve dhe profesionistëve të fushës së kinematografisë, duke hapur mundësi të reja për shkëmbim përvojash, zhvillim artistik dhe integrim në rrjetet ndërkombëtare të artit filmik.












