//Universiteti i Tetovës vijon bashkëpunimin me Observatorin e Magna Charta-s

Universiteti i Tetovës vijon bashkëpunimin me Observatorin e Magna Charta-s

2021-06-24T23:08:13+00:00 Qershor 24, 2021|

Më datë 16 dhe 17 qershor 2021, Asociacioni i Nënshkruesve të Deklaratës së Bolonjës, Magna Charta Universitatum, organizoi përvjetorin e radhës. Universiteti i Tetovës është nënshkrues dhe anëtar aktiv në këtë institucion të rëndësishëm të arsimit të lartë. Përvjetori i sivjetmë, edhe pse jo me prani fizike, shënoi një hap të rëndësishëm për të gjithë nënshkruesit nga mbarë bota. Observatori i Magna Charta Universitatum e rishkroi deklaratën origjinale të vitit 1988 dhe e titulloi MCU 2020.

Kjo deklaratë, nuk heq asgjë nga vlerat fundamentale që ngërthen dokumenti bazë siç janë: liria akademike dhe autonomia institucionale, por vë theks në përpjekjet që universitetet duhet të kenë në ballafaqimin e tyre me sfidat dhe shqetësimet bashkëkohore. Po ashtu, njeh natyrën gjithmonë e më globale të asaj që përfaqësojnë universitetet si dhe përgjegjësitë lokale që ata kanë.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, duke u mbështetur në vlerat e kësaj Deklarate si dhe vizionin dhe misionin që përfaqëson Universiteti i Tetovës, e nënshkroi këtë Deklaratë më 5 prill 2021. Shpalosja e këtij akti u paraqit pikërisht në përvjetorin e sivjetmë në të cilin Universiteti i Tetovës u përfaqësua nga prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu.