Universiteti i Tetovës, e njofton mbarë opinionin, në veçanti studentët dhe stafin akademik, se aktivitetet e parapara për shënimin e 28 Nëntorit – Ditës së Flamurit, në Universitetin tonë do të anulohen në nderim të të gjithë viktimave që fatkeqësisht e humbën jetën nga goditjet e tërmetit që përfshiu Thumanën dhe qytetin e Durrësit, në mëngjesin e 26 nëntorit.
Universiteti i Tetovës solidarizohet me të gjithë shqiptarët, të cilët këto ditë me zemër e shpirt ndajnë dhimbjen e përbashkët me familjet e viktimave dhe të të lënduarve nga kjo tragjedi natyrore. Ne lutemi që numri i viktimave nga kjo tragjedi të mos rritet dhe njëherit, shpresojmë në shërim sa më të shpejtë për të plagosurit në këtë fatkeqësi.
Universiteti ynë me plot vëmendje po e përcjell gjendjen e rëndë që këto ditë është krijuar në Republikën e Shqipërisë, dhe ka ndërmarrë iniciativë për t’u dalë në ndihmë vëllezërve tanë.
Zyra për Informim