Rektori i Universitetit të Tetovës Prof. Dr. Jusuf Zejneli, së bashku me ekipin e tij, i pritën në takim pjesëmarrësit e Akademisë së Aktivizmit Rinor, të udhëhequr nga Shoqata “Multikultura”.
Gjatë këtij takimi, Rektori Prof. Dr. Jusuf Zejneli i përgëzoi të rinjtë për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në iniciativa që kontribuojnë në zhvillimin e shoqërisë, duke theksuar se Universiteti i Tetovës mbetet gjithmonë i hapur për bashkëpunim dhe mbështetje të ideve të reja.
Ai nënvizoi rolin e të rinjve në proceset shoqërore dhe i inkurajoi ata që të jenë aktivë dhe të angazhuar në komunitet.
Në vijim të takimit u diskutua për rëndësinë e aktivizmit rinor, si dhe mbi mundësitë për bashkëpunim ndërmjet institucioneve arsimore dhe organizatave të shoqërisë civile, me qëllim fuqizimin e rolit të të rinjve në shoqëri.
Kjo vizitë shërbeu si një mundësi e mirë për shkëmbim përvojash dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet të rinjve dhe Universitetit të Tetovës, duke nxitur angazhimin e tyre në procese të ndryshme shoqërore.






