Në periudhën nga 29 prilli deri më 6 maj 2025, Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës – programi studimor Edukim Special dhe Rehabilitim – ishte nikoqir i një vizite njëjavore të studentëve dhe stafit akademik nga programi i Edukimit Special i Fakultetit të Edukimit të Universitetit “Fatih Sultan Mehmet Vakif” nga Turqia.

Vizita filloi me një pritje nga dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmedi, i cili prezantoi zhvillimin institucional dhe infrastrukturor të Universitetit të Tetovës. Mysafirët u njohën me ambientet dhe historikun e universitetit, si dhe me programet që ofron Fakulteti Pedagogjik.

Gjatë qëndrimit, mysafirët morën pjesë në një sërë aktivitetesh akademike dhe profesionale të organizuara dhe të shoqëruara nga stafi i programit Edukim Special dhe Rehabilitim: Prof. Dr. Buniamin Memedi, Doc. Dr. Teuta Ramadani Rasimi, Mr. Sc. Zana Kadrii, Mr. Sc. Blerta Alili dhe Mr. Sc. Ajshenur Izeti.

Në kuadër të vizitës u realizuan disa aktivitete profesionale, në: Qendrën “Blue Puzzle” – ku koordinatori Valon Emini prezantoi qasjet terapeutike dhe edukative për fëmijët me çrregullime të spektrit autik; SHFK “Naim Frashëri” në Tetovë – institucion që zbaton modelin e arsimit gjithëpërfshirës, ku mysafirët u pritën nga edukatorja speciale Adile Abdii; Qendrën “IDNINA” në Shkup – ku Doc. Dr. Adelina Haskaj prezantoi përvojat dhe sfidat në mbështetjen e nxënësve me nevoja të veçanta dhe  në Qendrën për Patologji të Komunikimit Verbal në Shkup – ku mysafirët u informuan për praktikat e avancuara në fushën e logopedisë dhe rehabilitimit verbal.

Përveç programit profesional, vizita u shoqërua edhe me aktivitete kulturore, duke ofruar mundësi për shkëmbim të përvojave dhe forcim të bashkëpunimit ndërkulturor mes të rinjve dhe stafit akademik nga të dy universitetet.

Kjo vizitë përbën një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve akademike ndërmjet Universitetit të Tetovës dhe institucioneve të arsimit të lartë në Turqi, me synimin për bashkëpunime të mëtejshme në fushën e arsimit gjithëpërfshirës dhe rehabilitimit special.