Pas situatës së rëndë të krijuar në Shqipëri si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit, që i goditi Durrësin dhe Thumanën, Senati i Universitetit të Tetovës, në mbledhjen e mbajtur sot, më 28 nëntor 2019 solli vendim për ndarjen e një donacioni në vlerë prej 10.000 eurove, në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti i lartpërmendur. Me këtë vendim Universiteti i Tetovës solidarizohet me vëllezërit dhe motrat tona nga Republika e Shqipërisë, që fatkeqësisht u goditën nga kjo fatkeqësi natyrore me pasoja në njerëz dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Me këtë rast, Rektori i UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, njëherësh kryesues i Senatit, theksoi se këtë vendim për ndarjen e donacionit, ne e konsiderojmë si detyrim ndaj qytetarëve shqiptarë, kur e kemi parasysh se në situata të tilla reagimi dhe ofrimi i ndihmës është shumë i rëndësishëm edhe i domosdoshëm.
Ai, po ashtu u shpreh se, këto mjete financiare mbase nuk janë të mjaftueshme kur i kemi parasysh dëmet kolosale që janë shkaktuar, megjithatë Universiteti i Tetovës, i bashkohet nismës së shumë institucioneve vendore, rajonale dhe ndërkombëtare të cilat janë aktivizuar për t’u solidarizuar me Shqipërinë.
Rektori i UT-së i përgëzoi dhe falënderoi studentët tanë, të cilët në organizim të Parlamentit Studentor, gjatë këtyre ditëve janë angazhuar për grumbullimin e mjeteve financiare për këtë çështje.
Zyra për Informim