Me iniciativën e Institutit Junus Emre në Shkup dhe me mbështetjen e përfaqësisë së fondacionit MAARIF në Maqedoni, në Filologjinë Orientale, në kuadër të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Tetovës, u organizua takim i departamenteve të turkologjisë në Maqedoni.
Nikoqir i takimit ishte Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, ndërsa në takim morën pjesë mbi 150 studentë dhe profesorë të departamenteve të turkologjisë në Maqedoni.
Në emër të Filologjisë Orientale, fjalim rasti mbajti përgjegjësi për turkologjinë, Prof. Dr. Sulejman Baki, i cili mes tjerash tha se e ka mirëpritur këtë iniciativë për takim të studentëve dhe profesorëve të departamenteve të turkologjisë. Njëherësh, ai i falënderoi institucionet Junus Emre dhe TIKA për mbështetjen e vazhdueshme që japin për Filologjinë Orientale dhe Universitetin. “Shpresojmë që ky bashkëpunim do të vazhdojë edhe në të ardhmen”, theksoi Baki.
Gjithashtu në këtë takim, në emër të Fakultetit Filozofik, fjalim përshëndetës pati edhe prodekani i Fakultetit Filozofik, Prof. Dr. Musa Musai, i cili e përshëndeti këtë organizim.
Përpos fjalimeve përshëndetëse të drejtorit të Institutit Junus Emre në Shkup, Dr. Shemsetin Sheker dhe Koordinatorit të Fondacionit MAARIF për Maqedoni, Mustafa Dilliogllu, të pranishmit i përshëndetën edhe shefat e departamenteve të turkologjisë në Universitetin Shën Kirili dhe Metodi në Shkup, Universitetin Goce Delçev në Shtip dhe Universitetin Ndërkombëtar Ballkanik.