Parlamenti Studentor i Universitetit të Tetovës dhe Fakulteti i Kulturës Fizike, përmes disa aktiviteteve sportive e shënuan 245-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Për nder të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-ve, në terrenet sportive të UT-së u zhvillua një ndeshje volejbolli në rërë. Në këtë aktivitet të pranishëm ishin, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti, shefi i Kabinetit të tij, Prof. Dr. Faton Shabani, kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku, koordinatori i Këndit Amerikan në Tetovë, z. Gëzim Sulejmani, studentë dhe shumë pjesëmarrës të tjerë sportdashës.
Kryetarja e Parlamentit Studentor të Universitetit të Tetovës, zonjusha Eliesa Zhaku vlerësoi se ky aktivitet sportiv e bën edhe më të bukur shënimin e 4 Korrikut, Ditën e Pavarësisë së SHBA-ve, që janë aleatët më të mirë të popullit shqiptar. “Parlamenti Studentor, tani më vite me radhë, përmes aktiviteteve të ndryshme e shënon ditën e shpalljes së Pavarësisë së SHBA-ve. Ne, asnjëherë nuk mund ta harrojmë kontributin e SHBA-ve, që kanë dhënë për kombin tonë, e sidomos kontributin e tyre për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, si edhe mbështetjen që u kanë dhënë Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut për t’u bërë pjesë e aleancës euro – atlantike. Ne si popull jemi me fat dhe të bekuar për miqësinë që kemi me SHBA-të dhe gjithmonë duhet ta ruajmë atë. Po ashtu, në të ardhmen të punojmë sa më tepër, që përveç bashkëpunimit që kemi me disa nga universitetet më prestigjioze amerikane, të lidhim ura bashkëpunimi edhe me shumë universitete të tjera dhe sa më shumë ta forcojmë partneritetin tonë me këtë vend mik të shqiptarëve” – theksoi kryetarja e Parlamentit Studentor, Eliesa Zhaku.
Aktiviteti për shënimin e 245-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-ve u përmbyll me ndarjen e disa certifikatave për lojërat, në shenjë mirënjohje për pjesëmarrjen e tyre në ndeshjen e volejbollit në rërë. Lojtarëve pjesëmarrës, certifikatat ua ndau Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Gjithashtu, mirënjohje iu nda edhe koordinatorit të Këndit Amerikan në Tetovë, z. Gëzim Sulejmanit, në shenjë mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer, që tanimë është krijuar mes Këndit Amerikan në Tetovë dhe Universitetit të Tetovës.