Nga 1 tetori 2021, diplomat e Fakultetit të Shkencave të Mjekësisë të Universitetit të Tetovës, njihen nga dy institucionet më prestigjioze mjekësore në botë, Education Commission for Foreign Medical Graduates (ECFMG) dhe Medical Council of Canada (MCC).

Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu, njoftoi se ky lajm i mirë dhe i gëzueshëm për studentët e mjekësisë vjen pas një përpjekjeje një vjeçare. Me regjistrimin në data bazën më të madhe të fakulteteve të mjekësisë në botë (World Directory of Medical  Schools, www.wdoms.org). Universiteti i Tetovës, me Fakultetin e Shkencave të Mjekësisë u bashkëngjitet mbi  1700 institucioneve arsimore botërore të shkencave të mjekësisë, informon prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Shefik Shehu.

Ky hap u mundëson të diplomuarve tanë pjesëmarrje në provimet për licencim në SHBA, Kanada dhe më gjerë, pa pasur nevojë për provime shtesë. Njëherit të diplomuarve tanë më të suksesshëm u mundësohet pjesëmarrja në forume dhe platforma ndërkombëtare, si dhe u jepet shansi për krijimin e linjave të reja të komunikimit me klinika dhe institucione ndërkombëtare simotra.