Me homazhe te busti i dëshmorit të arsimit shqip, Abdylselam Emini dhe te varri i themeluesit e Rektorit të parë të UT-së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, Universiteti i Tetovës i filloi sot aktivitetet për shënimin e 27-vjetorit të ligjëratave të para. Më 17 shkurt 1995, në fshatin Poroj të Tetovës, profesorët dhe studentët shqiptarë i filluan ligjëratat e para në gjuhën shqipe. Andaj, drejtuesit e Universitetit të Tetovës, bashkë me studentët, profesorët, por dhe qytetarë të tjerë, gjatë ditës së sotme e kanë vizituar Muzeun historik të UT-së në fshatin Poroj, ku për së afërmi e kanë parë origjinalitetin e klasave, aty ku filluan ligjëratat e para të UT-së, arkivin dhe misionin që mbart kjo vatër historike.
Më pas, homazhe u bënë edhe para monumentit “Flakadani i kujtesës” dhe shtatorja e Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, për të vijuar me Akademinë solemne kushtuar 17 shkurtit, ditës së fillimit të ligjëratave të para. Në këtë akademi u përkujtua e kaluara e Universitetit të Tetovës, nisur nga rezistenca e popullatës shqiptare për themelimin e universitetit në vitin 1994, mbajtja e ligjëratave të para në vitin 1995, ecuria ndër vite, sfidat dhe vështirësitë që ka pasur UT-ja deri në kohën e zyrtarizimit në vitin 2004, si dhe zhvillimet tjera arsimore e shkencore deri më sot.
Në këtë akademi të pranishëm ishin një numër i madh personalitetesh, në mesin e të cilëve rektorë universitetesh, prorektorë, dekanë, senatorë, profesorë dhe studentë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, bashkë me zëvendësministrin Lulzim Aliu, kryetari i BFI-së, Reis Ul Ulema, Shaqir efendi Fetahi, myftiu i Myftinisë së Tetovës, Prof. Dr. Qani Nesimi, ish kryetarët e Komunave të Tetovës dhe Gostivarit, Shaqir Aliti dhe Enver Zenku, përfaqësues të pushtetit qendror dhe atij lokal, si dhe shumë familjarë të tjerë, të cilët në vitin 1994 kishin lëshuar shtëpitë e tyre për mësonjëtore të Universitetit të Tetovës.
Akademinë e shpalli të hapur prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i UT-së, Prof. Dr. Shefik Shehu. Ai tha se 17 shkurti, përtej një date historike për arsimin sipëror në gjuhën shqipe, shënon kthesën e jashtëzakonshme në funksion të realizimit të të drejtave themelore të shqiptareve për arsimim në gjuhën amtare. “Në krye të këtij projekti, sa arsimor po aq edhe historik, ishte themeluesi dhe Rektori i parë, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, i cili jeton e do të jetojë përjetë në ëndrrën më të bukur të çdo studenti, intelektuali dhe qytetari të vendit tonë. Kontributi dhe veprimtaria arsimore dhe shkencore e profesor Fadil Sulejmanit mbetet e pakrahasueshme dhe e jashtëzakonshme në periudhën kur veproi. Në këtë akademi solemne, le ta kujtojmë Prof. Dr. Fadil Sulejmanin, në nëntë vjetorin e ndarjes së tij nga jeta, le të shprehim nderimin tonë për sakrificën, kontributin e vyer në jetësimin e projektit madhor iluminist – Universitetin e Tetovës, projektit më të domosdoshëm për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Fillimet e para të këtij institucioni, sikurse dihet, kanë qenë tejet të vështira, kur i kemi parasysh pengesat nga pushteti i atëhershëm, qëndrimin antidemokratik dhe diskriminues ndaj arsimit në gjuhën shqipe dhe për perspektivën e shoqërisë shqiptare në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Mirëpo, kombi ynë me vendosmërinë dhe bujarinë e tij u rreshtua pas iniciativës së intelektualëve të asaj kohe, të cilët me burrërinë dhe vizionin e rilindësve, jetësuan një nga projektet më të mëdha që ka njohur historia jonë kombëtare e periudhës më të re. Pra, 27 vjet më parë, më 17 shkurt të vitit 1995, me porosinë emblematike të Rektorit historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, se “ne duam lapsin dhe fletoren, nuk duam dhunë”, në fshatin Poroj filluan ligjëratat e para të Universitetit të Tetovës. Po të njëjtën ditë, në fshatin Reçicë e Vogël, fillimi i ligjëratave u shoqërua me dhunë nga policia, që ushtroi mbi banorët dhe qytetarët, të cilët kishin dalë në mbrojtje të Universitetit dhe të arsimit shqip. Si pasojë e dhunës policore, fatkeqësisht pati shumë të lënduar dhe të burgosur, mes të cilëve u burgosën rektori, Prof. Fadili Sulejmani dhe drejtues të tjerë të Universitetit, ndërsa në ato ngjarje, Abdylselam Emini ra dëshmor i arsimit shqip.” – u shpreh Prof. Dr. Shefik Shehu.
Në këtë akademi, në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut fjalë rasti mbajti ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri. Ai, në fjalën e tij u shpreh se falë këmbënguljes për themelim të kësaj vatre të arsimit, ligjëratat të cilat filluan më 17 shkurt të vitit 1995, 27 vjet më parë në Poroj dhe në Reçicë të Vogël, ishin nisma e një procesi që sot e kësaj dite po edukon breza. “Dje, si student i Universitetit të Tetovës, sot si ministër i arsimit dhe shkencës, ndjehem jashtëzakonisht i lumtur dhe me fat. Duke kujtuar sakrificën e Abdylselam Eminit; Fadil Sulejmanit- rektorit të parë të Universitetit të Tetovës, të gjithë atyre profesorëve që nuk jetojnë më, të dhjetëra familjeve që ofruan pa kusht shtëpitë e tyre 27 vite më parë, ia kemi dalë që sot të gëzojmë frytet e sakrificave dhe rezistencës së tyre. Më lejoni t’ju përgëzoj dhe për promovimin e Monografisë së Universitetit të Tetovës, për periudhën e krijimit, që nga vështirësitë e themelimit deri në vitet e legalizimit të tij. Sot, arsimi shqip në vend ka përmasa të tjera dhe ka arritur në stad tjetër, e mbase për studentët e ditëve të sotshme janë rrethana të paimagjinueshme ato në të cilat është themeluar ky universitet, dhe përkujtime si ky i sotmi vetëm se iu flet atyre dhe na kujton të gjithëve peshën të cilën ka ky universitet për shkak të rrugëtimit të tij të veçantë historik. Ditë si kjo janë një rrëfim që na kujtojnë të kaluarën dhe na bëjnë të mendojmë për të ardhmen, për të cilën pa diskutim se duhet të punojmë të gjithë. Ndonëse kjo nuk është një detyrë aspak e lehtë, duhet shfrytëzuar çdo shans për të ngritur arsimin shqip në vend, për të ndërmarrë veprime që rrisin autonominë e universiteteve, për të krijuar kushte e mundësi të reja për çdo student, që ata ta kenë më lehtë të ballafaqohen me tregun e punës dhe pse jo të jenë konkurrues të denjë me studentët e universiteteve evropiane e më gjerë” – u shpreh ndër të tjera ministri i Arsimit dhe Shkencës në vendin tonë, Jeton Shaqiri. Sipas tij, sakrificat e bëra vite më parë kanë hapur rrugën që ne të gëzojmë këtë të drejtë themelore, që ta kemi më të lehtë ndërtimin dhe edukimin cilësor të studentëve dhe më e pakta që mund të bëjmë është të shfrytëzojmë të gjithë potencialin tonë për të bërë më të mirën për brezat që vijnë.
Në këtë akademi, po ashtu, prorektori për Bashkëpunim Ndërkombëtar i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Shefik Shehu, si dhe ministri i Arsimit dhe Shkencës, Jeton Shaqiri, përcollën urimet për të gjithë shqiptarët me rastin e 14-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në përvjetorin e 27 të ligjëratave të para të Universitetit të Tetovës u bë edhe promovimi i Monografisë së Universitetit.