Në Universitetin e Tetovës, Shoqata Aksionare ESM sot ka bërë ndarjen e bursave për pesë studentë të Universitetit të Tetovës. Studentët, Eliza Shabani, Alketa Abduli, Edon Fejzullahi, Arti Ademi dhe Harbin Useini bursat i pranuan nga Drejtori i përgjithshëm i SH.A. – ESM, Mr. Vasko Kovaçevski, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe zv. Drejtori i SH.A. – ESM, Prof. Dr. Imer Zenku.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti i falënderoi drejtuesit e SH.A. ESM për bursat, të cilat sot edhe zyrtarisht ua ndanë studentëve tanë, duke shtuar se ky bashkëpunim mes dy institucioneve do të jetë frymëzues për gjeneratat e reja, që të profilizohen në shkencat ekzakte. “Dua ta falënderoj Drejtorin, Vasko Kovaçevski, zv. Drejtorin, Prof. Dr. Imer Zenku dhe ekipin e tyre për mundësinë që studentët tanë të jenë përfitues të këtyre bursave. Ky nuk është një kontribut vetëm për ju si studentë, por është edhe për institucionin tonë, sepse bëhet fjalë për nxitjen dhe stimulin që edhe gjeneratat tjera në të ardhmen të përcaktohen në këto programe studimore. Ju përgëzoj juve për rezultatet dhe sukseset e arritura. Ne si institucion, padyshim që do të vazhdojmë t’u mbështesim në rrugëtimin tuaj në të ardhmen. Pikërisht këto forma të bashkëpunimit janë motivi kryesor që edhe studentët tjerë të angazhohen sa më shumë në studime dhe të jenë përfitues, pse jo, të këtyre bursave, por edhe bursave të tjera të cilat ndahen për studentët e dalluar”, theksoi Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
Drejtori i Shoqatës Aksionare “Centralet Elektrike të Maqedonisë së Veriut” (SH.A. ESM) Mr. Vasko Kovaçevski e falënderoi Rektorin Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti për mikpritjen dhe bashkëpunimin korrekt, që dy institucionet tona kanë krijuar mes vete. Ai, po ashtu i përgëzoi studentët, të cilët gjatë 10 muajve do të përfitojnë bursën prej 8000 denarëve në muaj, duke i inkurajuar që sa më shumë t’u përkushtohen studimeve, që në të ardhmen me rezultatet e tyre të bëhen shembull për të gjithë të rinjtë në vendin tonë. “Përgjegjësia dhe angazhimi ynë është që të ndihmojmë aty ku kemi mundësi. Është kënaqësi e veçantë kur shohim që u ndihmojmë studentëve të rinj, të cilët mësojnë, studiojnë, angazhohen dhe janë të përkushtuar në punën e tyre. Ato janë ardhmëria jonë dhe ne duam që të rritet numri i studenteve të cilëve ne u ndajmë bursa, pasi që vet jemi dëshmitarë se në çfarë rrethana jetojmë”, u shpreh drejtori i SH.A. ESM, Mr. Vasko Kovaçevski.
Studentët shprehën falënderimet e tyre ndaj Universitetit të Tetovës dhe SH.A. ESM për mbështetjen që u japin atyre, duke shtuar se këto bursa do të jenë një ndihmesë e madhe për nevojat elementare gjatë studimeve.
Zyra për informim