Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, së bashku me Prorektorin për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Prof. Dr. Shefik Shehu e pritën në një takim ambasadorin e Japonisë, ekselencën e tij Kazuya Otsuka. Fillimisht, Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në emër të tij dhe të Universitetit e falënderoi ambasadorin Kazuya Otsuka për kohën që ka ndarë për të qenë sot në hapësirat e Universitetit tonë.
Më pas, ai në pika të shkurtra bëri një prezantim të rrugëtimit të Universitetit të Tetovës, që nga themelimi në vitin 1994 e deri te zhvillimet e ditëve të sotme. Ndër të tjera, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, tha se pas të gjitha sfidave dhe konsolidimit të plotë, Universiteti ynë tani më ka krijuar bashkëpunime me shumë universitete të vendit dhe ndërkombëtarë. Ai tha se, do të ishte në interesin e Universitetit tonë krijimi i bashkëpunimit të mundshëm edhe me universitetet japonezë në fushën e shkëmbimit të stafit dhe studentëve, projekteve kërkimore shkencore dhe fusha të tjera me interes të përbashkët.
Ambasadori Japonez Otsuka tha se që nga marrja e detyrës kjo është vizita e tij e parë në një universitet në vendin tonë. Ai shprehu gatishmërinë e tij për të vënë kontakte bashkëpunimi mes UT dhe universiteteve japoneze.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u shqyrtua edhe mundësia e promovimit të kulturës japoneze në Universitetin e Tetovës, si dhe vizita dhe takime të mundshme të delegacioneve japoneze me studentët tonë.