Fakulteti Pedagogjik i Universitetit të Tetovës, përmes një akademie solemne e shënoi 7 Marsin – Ditën e Mësuesit, këtë ngjarje që na përkujton sakrificën dhe mundin e të parëve tanë për të pasur shkollim në gjuhën shqipe. Në këtë akademi të pranishëm ishin, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, Sekretari i përgjithshëm, prorektorë, senatorë, dekanë, profesorë, kryetarja e Parlamentit studentor dhe studentë.
Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmeti, në fjalën e tij tha se sot kremtojmë një nga datat historike më të rëndësishme, 7 Marsin-Ditën e Mësuesit, që sinjalizon një të kaluar dhe është nismë e një shtytjeje të rëndësishme të ndërtimit të së ardhmes kombëtare, duke penguar trajtat e ndryshme të asimilimit. “Shënimi i kësaj dite, e cila në Shqipëri festohet që nga viti 1960, ndërsa te ne pas viteve 90-ta, na përkujton rrugëtimin e popullit tonë nëpër kohëra rrebeshesh të historisë. Mësuesit shqiptarë në çdo kohë e në çdo krahinë, kanë qenë jo thjesht profesionistë të arsimit, por në radhë të parë ishin patriotë dhe njerëz të emancipuar, idealistë, humanistë dhe artistë të fushave të ndryshme. Ata gjithmonë shërbenin si model për nxënësit, andaj duke pasur përballë mësuesin që nuk kursente kohën, frymën, pasionin, jetën, për të brumosur ata me dije, me kulturë dhe edukatë, shumë prej tyre zgjodhën mësuesinë, pikërisht prej këtij modeli”, u shpreh dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Lulzim Mehmeti.
Referatin qendror për 7 Marsin e paraqiti profesoresha e Fakultetit Pedagogjik, Doc. Dr. Arbëresha Zenki. Duke u fokusuar te rëndësia e shkollës shqipe, ajo tha se Rilindja Kombëtare Shqiptare bëri hapa të mëdhenj në ringjalljen dhe afirmimin e kombit shqiptar përmes mësuesve atdhedashës të kohës. “Hapja e mësonjëtores së parë, që u bë vatër e zgjimit dhe rritjes së ndërgjegjes kombëtare për bashkimin e kombit, për qëllim pati edhe ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës si element jetik i vetë kombit, e njëkohësisht paraqiti model demokratik për përfshirje të fëmijëve e të gjitha shtresave. Përpos përkushtimit për përpilim e teksteve të para shkollore të dokumentuara, shkolla kombëtare e Korçës ngjalli entuziazëm ndër atdhetarët e mbarë vendit për çeljen e shkollave të tjera në krahina të ndryshme dhe për edukim me frymë të patriotizmit të nxënësve, që do të bëheshin në të ardhmen pasuesit e denjë të ideologjisë së mësuesve të tyre dhe luftëtarë të devotshëm në luftën për liri dhe pavarësi”, u shpreh Doc. Dr. Arbëresha Zenki.
Kjo akademi u përmbyll me disa pika artistike të interpretuara nga Nexhmije Sulejmani, Sena Hoda dhe Benjamin Menga – studentë të Fakultetit Pedagogjik dhe Fakultetit të Arteve.