Me pjesëmarrjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zëvendëskryeministrit të parë të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, liderit të BDI-së, Ali Ahmeti, komandantit të Forcave të Sigurisë së Kosovës, gjeneral lajtnant Bashkim Jashari, kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami, rektorit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, kryetarit të Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, si dhe shumë personaliteteve të tjera nga vendi dhe Republika e Kosovës, Universiteti i Tetovës, më 14 prill 2023, përmes një akademie përkujtimore e nderoi jetën dhe veprën e ish-studentit të degës së Farmacisë të Universitetit të Tetovës, dëshmorit të kombit Alban Ajeti, i rënë në altarin e lirisë 24 vjet më parë nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në hapjen e kësaj akademie tha se, historia ka dëshmuar se kombet e qytetëruara janë ngritur vetëm nëpërmjet njerëzve të dijes, njerëzve të veprimit dhe idealistëve të vërtetë dhe se, Albani është shembulli më emblematik i lartësimit nëpërmjet shpirtit të sakrificës. “Universiteti ynë ka nxjerrë individë të dalluar, që kanë kontribuar në zhvillimin e kombit tonë, mes tyre sot e nderojmë një student që e dha jetën duke luftuar për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Për këtë Universitet dhe për gjuhën tonë ranë dëshmorë shumë studentë dhe qytetarë shqiptarë: Bedri Halimi, Zejadin Zimberi, Xhemil Abduramani, Burim Hyseini, Abdylselam Emini e të tjerë, gjaku i të cilëve është bërë dritë, dhe sot e ndriçon rrugën tonë të diturisë. Prandaj, duke i kujtuar këto modele të sakrificës njerëzore, duke i përjetësuar ata, në fakt, i ruajmë si pika orientimi për lëvizjet tona kombëtare. Ata, që me veprat e tyre kanë siguruar formë tjetër ekzistenciale, meritojnë më shumë se sa respektin dhe admirimin tonë deri në përkulje. Albani i takonte gjeneratës që njëherë e përgjithmonë i ndryshoi rrjedhat e historisë sonë, i përkiste asaj gjenerate që mishëronte më së miri virtytet e shqiptarit të vendosur për liri dhe demokraci”, tha rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.

Në akademinë përkujtimore kushtuar dëshmorit të kombit Alban Ajeti, nga kryetari i Senatit të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Vullnet Ameti u bë publik edhe vendimi i Senatit të Universitetit të Tetovës për shpalljen e dëshmorit të kombit Alban Ajeti – Hero i Universitetit të Tetovës.  “Universiteti i Tetovës është përkushtuar në vazhdimësi në kujtimin dhe nderimin e dëshmorëve të kombit, që kanë dhënë jetën e tyre për liri dhe pavarësi. Në mbledhjen e fundit të Senatit u mor vendimi që Universiteti i Tetovës t’i ndajë titullin HERO I UNIVERSITETIT, studentit dhe dëshmorit të kombit Alban Ajeti, për sakrificën sublime, kontributin e veçantë në zhvillimin e arsimit, në kultivimin e traditave atdhetare, të gjuhës, të historisë, si dhe përkushtimin për arritjen e aspiratave kombëtare për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Universiteti ynë e konsideron vlerë të shtuar përkujtimin e dëshmorëve duke promovuar kulturën e nderimit të historisë dhe të përgjegjësisë ndaj kombit nëpërmjet veprimtarive të shumta: si konferenca shkencore, aktivitete të ndryshme përkujtimore, bursa studimi për fëmijët e dëshmorëve e kështu me radhë. Ne në vazhdimësi jemi përpjekur të ndjekim objektivin e përgjithshëm të promovimit të identitetit kombëtar dhe të ndërgjegjësimit të studentëve dhe të komunitetit shkencor në përgjithësi në lidhje me rëndësinë e dëshmorëve në historinë e kombit”, u shpreh kryetari i Senatit të UT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti.

Për jetën dhe veprën e dëshmorit Alban Ajeti foli edhe shefi i informimit dhe zëdhënësi i zonës operative të Karadakut të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Sylejmani. “Kam nderin e madh dhe historik, që sot përpara juve në nderimin e madh që po i bën Universiteti i Tetovës studentit të tij, duke e shpallur Hero të Universitetit të Tetovës, të shpalos biografinë e studentit Hero të UT-së, të luftëtarit të lirisë, bashkëluftëtarit tim, Heroit të Kombit Alban Ajeti. Alban Ajeti u lind më 5 Shtator në 1978 në Lagjen Dardania 2 (ish-Gavrani), Rruga nr. 18 në Gjilan. Më 1 Shtator të vitit 1985 ulet në bankat e shkollës fillore dhe fillon shkollimin e tij! Shkollën fillore e përfundoi në “Selami Hallaçi” dhe të mesmen e kreu në “Zenel Hajdini” në Gjilan, ndërsa studimet i vazhdoi në Fakultetin e Shkencave Matematike – Natyrore – Dega e Farmacisë në Universitetin e Tetovës, këtu në Tetovë, në vitin shkollor 1997/1998. Albani për dallim nga  bashkëmoshatarët e tij, ishte i gjithanshëm, kishte prirje  në sport, në letërsi etj., e shumë fusha të tjera, por më së shumti ishte për mjekësi, ku edhe u regjistrua këtu në Tetovë. Albani la trashëgim shumë  poezi, të cilat pas luftës në vitin 2002 iu botuan në një përmbledhje të veçantë, me titull: “Pranvera e Lirisë”, theksoi Ismet Sylejmani.

Ndërsa kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti në fjalimin e tij kushtuar sakrificës dhe kontributit të dëshmorit Alban Ajeti tha se, gjithmonë duhet kujtuar dëshmorët e rënë për liri, njëjtë siç do të kujtohet gjithmonë edhe Albani, për misionin e tij për të parë të lirë tokën arbërore. “Asnjëherë nuk lihen në harresë ata që ranë për liri, asnjëherë nuk i harron UT-ja, sepse është i vetmi universitet që është hapur me gjak. Duke i kujtuar, nderuar dhe dekoruar studentët që dhanë jetën, e madhështojmë edhe më shumë këtë universitet. Ndaj, bëhu i fortë babai i Albanit dhe ti vëlla, sepse Albanin e kemi hero, sepse Albanin e kemi këtu, në tokën e Arbërit, në tokën e lirisë. Albani edhe në poezinë e tij thotë “Mos më qani”, ndaj duhet ta kujtojmë me krenari të gjithë ne”, nënvizoi mes tjerash në fjalën  e tij, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

Akademinë kushtuar Alban Ajetit me prezencën e tij e nderoi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti. Ai, para të pranishmëve në auditorin e Universitetit të Tetovës tha se, itineraret e rrugëve që kanë ndjekur dëshmorët, e ndërtojnë hartën e lirisë së kombit, duhet regjistruar dhe shënuar me përpikëri. “Janë pikërisht këto shenja ato që na kërkojnë për të përkujtuar një dëshmor nga Gjilani të vijnë prej Prishtinës, këtu në Tetovë. Nëpër rrugët e lirisë shpeshherë dëshmorët janë njëkohësisht edhe shtrues rrugësh edhe udhëpërshkrues. Është detyrë e jona pastaj që shtigjet e hapura nga dëshmorët e lirisë t’i mbajmë gjithmonë të hapura për çka është e nevojshme që ato shtigje të shkelen dhe vendet ku shpijnë, ato të vizitohen kohë pas kohe e sa më shpesh. Ka shumë mënyra për të ndjekur rrugët e bëra nga heronjtë dhe dëshmorët, nga të mësuarit e idealeve të tyre e deri te pasimi i atyre idealeve. Në rastin e dëshmorit Alban Ajeti, ne mund të orientohemi në veprën dhe jetën e tij përmes fjalëve të vetë Albanit, ashtu siç ai i ka artikuluar dhe radhitur në poezinë e tij, të cilët ai i shihte mjaftueshëm të rëndësishme sa për t’i ruajtur deri në fshehtësi. Ashtu siç tre muaj pas çlirimit të Kosovës u zbulua një poezi e fshehur nga Albani për nënën e tij, në vargun e parë të së cilës Albani i kërkonte nënës Fazlije, të mos e qante pse kishte vdekur. Ka më shumë se dyzet poezi të tij të shpëtuara, përmes të cilave mund të kuptohet bota e mendimeve dhe ndjesive të autorit të tyre, Alban Ajeti, veçanërisht gjatë kohës së luftës, sikur sot që jemi mbledhur këtu në Tetovë të kujtojmë veprën e Alban Ajetit, studentit të Universitetit të Tetovës, poetit kronist nga Gjilani dhe pëllumbit dëshmor të UÇK-së. Njëmend Albani nuk arriti t’i përmbyllte studimet për Farmaci dhe nuk arriti të merrte diplomë nga Universiteti i Tetovës, sepse koha ia kërkoi që statusin e studentit ta këmbente me atë të luftëtarit të lirisë. Pikërisht duke luftuar për lirinë e Kosovës, ai e mori diplomën e dëshmorit të kombit, që asnjë universitet në botë nuk mund ta lëshojë e të cilën Albani e mori nën emblemën e UÇK-së. Është pikërisht kjo diferencë që e bën historinë dhe ajo që na ka mbledhur bashkë neve këtu për të kujtuar Albanin dhe shokët e tij. Natyrisht, që nuk është rastësi që edhe ky Universitet i juaji e i yni, ku erdhi Albani është nisur e ngritur me shumë sakrifica e gjak dëshmorësh”, potencoi kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Vendimin e Senatit të Universitetit të Tetovës për shpalljen e dëshmorit të Kombit Alban Ajetit HERO I UNIVERSITETIT, babait të tij, Sheqir Ajeti, ia ndau kryetari i Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti. Po ashtu, iu dhurua edhe Monografia e Universitetit bashkë me logon dhe flamurin e Universitetit të Tetovës, si dhe portretin e Rektorit të parë dhe historik, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, si dhe piktura me portretin e dëshmorit Alban Ajeti.

Në emër të familjes së dëshmorit Alban Ajeti, fjalë rasti mbajti edhe vëllai i tij, Petrit Ajeti, i cili shprehu falënderime dhe mirënjohje për të gjithë të pranishmit në auditor, e në veçanti për Universitetin e Tetovës, për nderimet  e larta që i bëri jetës dhe veprës së Alban Ajetit. “Brengën e lirisë së Kosovës, Albanit dhe dëshmorëve të tjerë e realizuan edhe në formë amaneti lufte, luftëtarët e tjerë të lirisë, që e çuan luftën deri në cakun e lirisë. Por, Albani kishte dhe dy brenga të tjera. Fillimisht, ai kishte pasur brengën t’i kryente studimet në Akademinë Ushtarake në Tiranë, që nga pamundësia u zëvendësua nga brenga për t’i kryer studimet për farmaci këtu në Tetovë. Lufta e thirri dhe ai u kthye nga Tetova që të mobilizohej në UÇK, në betejat e së cilës, për liri ai ra dëshmor. Kështu, brengën e dikurshme të Albanit për të kryer Akademinë Ushtarake në Tiranë, u përpoqa ta realizoj vetë unë, kur përfundova studimet pikërisht në Akademinë Ushtarake në Tiranë, më 2003. Ndërkaq, brengën e tij për t’i kryer studimet për farmaci në Universitetin e Tetovës, më së miri po ia përmbushni ju sot këtu, duke e kujtuar ish-studentin e këtij universiteti, që 24 vite më parë ra dëshmor. Për gjithë këtë, më lejoni që përulësisht, në emër të familjes Ajeti dhe në emrin tim personal t’ju shpreh mirënjohje dhe konsideratat më të larta”, deklaroi Petrit Ajeti, vëllai i dëshmorit Alban Ajeti.

Në përmbyllje të kësaj akademike, në shenjë falënderimi për respektin që i kanë bërë Universitetit të Tetovës, si dhe ngjarjes së sotme, rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, bashkë me kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, gjeneral lajtnant  Bashkim Jasharit, drejtorit të Agjencisë së Kosovës për inteligjencë, Petrit Ajeti, drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxhës dhe veprimtarit të çështjes kombëtare, Ismet Sylejmani, ua dhuruan portretin e rektorit të parë dhe historik të Universitetit, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, bashkë me Monografinë e Universitetit, si dhe revistat shkencore kushtuar personaliteteve të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare.

Akademia përkujtimore kushtuar dëshmorit Alban Ajeti u përmbyll me një program muzikor nga artistët: Dajana Malollari – Pajaziti, Shkëlzen Pajaziti dhe Shkëlzen Baftijari.