Në Universitetin e Tetovës sot përmes një aktiviteti letrar, Fakulteti Filologjik e shënoi muajin e librit. Për ta bërë sa më dinjitoz shënimin e kësaj ngjarje Katedra e Gjuhës dhe e Letërsisë Shqipe e këtij fakulteti organizoi konkursin letrar të titulluar “Unë përballë të tjerëve”.
Në këtë konkurs morën pjesë një numër i madh i studentëve nga programe të ndryshme studimore prej të gjitha njësive akademike të universitetit tonë, ndërsa në shpalljen e rezultateve morën pjesë edhe Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti me bashkëpunëtorët e tij.
Dekani i Fakultetit Filologjik, Prof. Dr. Berton Sulejmani në fjalën e tij i përgëzoi të gjithë studentët për interesimin që kanë shfaqur për të marrë pjesë në këtë konkurs letrar, ai gjithashtu i inkurajoi studentët që edhe në të ardhmen t’i përkushtohen krijimtarisë letrare dhe të ndjekin edhe konkurse të tjerë që organizohen nga institucione dhe subjekte që merren me art, kulturë dhe letërsi.
Për studentët pjesëmarrës në këtë veprimtari letrare u ndanë certifikata, ndërsa Komisioni vlerësues i përbërë nga profesoreshat: Esmije Veseli, Netrila Sinani dhe Adelina Xhaferi vendosi që të zgjidhte gjashtë esetë më të mira, të cilët edhe u shpërblyen me çmime simbolike.
Tri esetë më të mira për vendin e tretë u zgjodhën punimet e studentëve: Zymbyle Ameti – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Fatbardha Avdiji – Gjuhë dhe Letërsi Angleze dhe Remzije Sulejmanoska – Shkencat kompjuterike.
Ndërsa vendin e dytë e ndanë studentët Lindihana Hamiti – dega e Gjeografisë dhe Alejna Hasani – Edukimi special dhe rehabilitim, kurse vendin e parë në këtë konkurs e fitoi studenti Egzon Xhaferi nga program studimor Gjuhë dhe Letërsi Shqipe.