Fakulteti Ekonomik i Universitetit të Tetovës, sot organizoi trajnim me temë “Edukimi Ekonomik dhe Financiar”. Në këtë ngjarje morën pjesë maturantët e shkollave të mesme nga vendi ynë, të cilët përmes metodave specifike patën mundësinë që të njihen me raste të ndryshme konkrete rreth zhvillimit dhe aftësimit ekonomik, bankar e teknologjik, që në të ardhmen të munden t’i aplikojnë në praktikë.
Prodekani për Shkencë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bardhyl Dauti i falënderoi maturantët që kanë shfaqur interesim për këtë aktivitet të organizuar nga Fakulteti Ekonomik. “Ne funksionojmë në kuadër të UT-së, si fakultet formal i pranuar me diploma të njohura kombëtarisht dhe ndërkombëtarisht. Jemi një fakultet i konsoliduar me profil të kualifikuar të stafit. Kemi katër drejtime: Ekonomi Biznes, Financa dhe Kontabilitet, Turizëm, Biznes Ndërkombëtar dhe jemi në fazën e akreditimit të një drejtimi të ri, Shpedicionit. Secili prej këtyre drejtimeve profilizon kandidatët që i ndjekin studimet në kuadër të fushës përkatëse. Një numër i madh i studentëve që diplomojnë tek ne kanë sukses në tregun e punës. Studentët që diplomojnë tek ne kanë sukses për punësim në Bankën Qendrore, në banka të ndryshme komerciale, në firmat e huaja të cilat operojnë në zonën e lirë ekonomike në Tetovë dhe në firmat private që vetëm se më janë akomoduar në rajonin e Pollogut”, tha prodekani për Shkencë i Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Bardhyl Dauti.
Organizatorja e këtij aktiviteti, profesoresha e Fakultetit Ekonomik, Prof. Dr. Merale Fetahi – Vehapi tha se Edukimi Ekonomik dhe Financiar lindi si kërkesë e kohës drejt aftësimit të gjeneratave të reja mbi sfidat e zhvillimit ekonomik, bankar dhe teknologjik, e sidomos rëndësisë së informatës në globalizimin ekonomik.
“Mekanizmat e bashkëveprimit brenda ekonomive vendore jo gjithmonë janë lehtësisht të kuptueshme, andaj edhe thjeshtëzimi dhe shpjegimi praktik i funksionimit të tyre meriton vëmendje të posaçme. Krijimi i kulturës ekonomike dhe financiare është domosdoshmëri për gjithsecilin prej nesh e posaçërisht për gjeneratat e reja. Trajnimet e tilla të jenë në funksion të arritjes dhe ngritjes së një kulture të mirëfilltë ekonomike – financiare që do të lehtëson arritjen e objektivave të konsumatorit, prodhuesit, investitorit dhe sfidimit të suksesshëm të institucioneve”, u shpreh Prof. Dr. Merale Fetahu-Vehapi.
Në fund të këtij trajnimi, të gjithë pjesëmarrësit u shpërblyen me mirënjohje. Edukimi ekonomik dhe financiar sot është i domosdoshëm si asnjëherë më parë. Në dinamikën e sotme të zhvillimit ekonomik, financiar, bankar dhe sidomos rritjes së rëndësisë së informacionit, edukimi do të ndihmojë konsumatorin, prodhuesin, investuesin dhe institucionet që të marrin vendimet e duhura.