Në Universitetin e Tetovës qëndroi për vizitë zyrtare Presidentja e Republikës së Kosovës, shkëlqesia e saj, Vjosa Osmani. Në sheshin para shtatores së themeluesit dhe Rektorit të parë e historik të Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Fadil Sulejmanit, ajo u prit nga një numër i madh i studentëve dhe pedagogëve. Prania e saj në Universitetin tonë, përveç se i nderoi studentët, komunitetin akademik dhe stafin administrativ, u bëri nderë të gjithë shqiptarëve të kësaj ane, për të cilët themelimi i Universitetit të Tetovës dhe historia e tij ndër vite, ka qenë sakrifica e tyre më sublime.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, gjatë qëndrimit në Universitetin e Tetovës zhvilloi takim me Rektorin e Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, Kryetarin e Senatit, Prof. Dr. Vullnet Ameti dhe drejtues të tjerë, ndërsa më pas, në Amfiteatrin “Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi”, para studentëve dhe profesorëve mbajti një ligjëratë me temë: “Sfidat rajonale politike dhe të sigurisë”.
Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij tha se, vizita e Presidentes së Republikës së Kosovës, shkëlqesia e saj Vjosa Osmani në UT, është dëshmi që ajo i kushton arsimit dhe rolit që universiteti ynë po luan në ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme për rajonin tonë. “Deri sa flasim për sfidat dhe peripecitë, ne nuk harrojmë asnjëherë qëndrueshmërinë, forcën dhe vendosmërinë e popullit tonë. UT mban të ndezur flakadanin që ndriçon veprën e shenjtë dhe sakrificën e të gjithë dëshmorëve tanë, dëshmorëve të lirisë dhe dijes. Universiteti i Tetovës në vazhdimësi ka bërë përpjekje për të ndjekur objektivin e përgjithshëm që përmes veprimtarive të ndryshme shkencore, të trajtojë këto tematika me ekspertë të fushave përkatëse. Prandaj, prania e personaliteteve me ndikim nga bota akademike dhe politike, në trajtimin dhe diskutimin e temave të këtilla, është padyshim një vlerë e shtuar për Universitetin e Tetovës. Si institucion i arsimit të lartë, ne jemi të përkushtuar për të ushqyer lidhjet midis popullit tonë nga dy anët e kufirit dhe për të promovuar paqen, stabilitetin dhe prosperitetin në këtë rajon. Ne besojmë se arsimi është çelësi për ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritshme për të gjithë dhe jemi krenarë që po luajmë këtë rol me dinjitet për tri dekada rresht”, theksoi Rektori i UT-së, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti.
“Sfidat rajonale politike dhe të sigurisë” ishte tema e ligjëratës së Presidentes Vjosa Osmani. Sa i përket rëndësisë dhe rolit që kanë universitetet në procese të ndryshme, politike, diplomatike, ekonomike, strategjike, të sigurisë e të tjera, në rrafshin kombëtar, ajo u deklarua se Universiteti i Tetovës bashkë me Universitetin e Prishtinës kanë qenë udhërrëfyes të ndryshimeve të jashtëzakonshme politike në shtetet tona. “Në këto Universitete nuk u formësuan vetëm intelektualë, u formësua diçka më e fuqishme se sa dija dhe intelektualët, u formësua ideali, ideali i cili është gjallë edhe sot ndër shqiptarë, dhe kudo që shkojmë nëpër botë, në universitete të shteteve të lira e të zhvilluara, e përmendim një gjë, që për ne si shqiptarë e drejta në arsim kurrë nuk merret si e mirëqenë. Gjithsecili prej nesh, që sot kemi ardhur, jemi shkolluar në një sistem ku na është mohuar e drejta në arsim, është dashur të shkojmë nëpër shtëpi shkolla, profesorët tanë janë goditur, janë rrahur, janë burgosur janë vrarë, vetëm për shkak se kanë dashur të shpërndajnë dije dhe janë mohuar edhe çdo e drejtë e liri tjetër themelore përgjatë më shumë se një dekade që pastaj kulmoi me luftën tonë çlirimtare. Pra, për ne kurrë nuk ka qenë vetëm arsim, ka qenë arsim dhe ideal, ideal nëpërmjet të cilit ne u siguruam që i mbijetojmë një regjimi aq brutal që rrallë ta ketë njohur diku tjetër historia e njerëzimit. E nëpërmjet arsimit, sot kur jemi të lirë, kur mundësitë janë deri në qiell, nëpërmjet arsimit unë jam e bindur që shtetet tona do t’i shpijnë drejt majave që do të sigurohemi që para botës të tregojmë se rinia jonë është e jashtëzakonshme, që në momentin që e kanë një mundësi ata shkëlqejnë dhe që pikërisht për këtë arsye e ardhmja jonë është e ndritshme”, tha ndër të tjera Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Pas përfundimit të ligjëratës, ajo zhvilloi një bashkëbisedim me studentët tanë në lidhje me liberalizimin e vizave, votimin për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Në përmbyllje të takimit, Presidentja e Republikës së Kosovës nga Rektori Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti e pranoi portretin e themeluesit dhe Rektorit të parë të UT –së, Prof. Dr. Fadil Sulejmani, kurse Kryetari i Senatit Prof. Dr. Vullnet Ameti ia dhuroi Monografinë e Universitetit të Tetovës, bashkë me disa botime të tjera shkencore të Universiteti të Tetovës, në mesin e të cilëve edhe librin e autorit, Prof. Dr. Nusret Pllana me titull: “Terrori i Serbisë pushtuese mbi shqiptarët, prej vitit 1844-1999”.
Vizitat e zyrtarëve të lartë shtetërorë në Universitetin e Tetovës, nga rajoni dhe arena ndërkombëtare, konfirmojnë për reputacionin që institucioni ynë gëzon jo vetëm në rrethet akademike, por edhe tek autoritetet me ndikim në jetën shoqërore.